Të dhënat e Kinës për COVID-19 nuk ofrojnë pasqyrën reale të situatës dhe janë shifra më të ulëta sa i përket shtrimit në spitale dhe vdekje nga kjo sëmundje.
Kështu tha më 4 janar një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Përfaqësuesit e kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara pritet të takohen sërish më 5 janar me shkencëtarët kinezë, si pjesë e një përditësimi më të gjerë në mesin e shteteve anëtare lidhur me situatën e pandemisë COVID-19. Shqetësimet janë rritur pasi së fundi Kina është përballur me një shpërthim të shpejtë të virusit.
Të martën, shkencëtarët kryesorë kinezë paraqitën të dhënat para grupit teknik këshillues të OBSH-së, duke thënë se nuk është gjetur asnjë variant i ri i koronavirusit në Kinë, shtet me popullsi prej 1.4 miliard banorësh.
Këto deklarata të zyrtarëve kinezë mund të ulin shqetësimet te disa, teksa Pekini muajin e kaluar hoqi dorë nga politika e masave të ashpra, e njohur si “Zero-COVID”.
Por, komentet nga zyrtarët e OBSH-së paraqesin kritikën më të ashpër lidhur me mënyrën se si Kina po e menaxhon pandeminë. Shqetësimet janë të mëdha lidhur me të dhënat që ofron Kina, që do të mund të ndikojnë edhe në luftën kundër kësaj sëmundjeje që deri më tani ka vrarë mbi 6.7 milionë persona në mbarë botën.