Rezultatet negative nuk janë kapërdirë mirë në kampin e Erzenit. Humbja ndaj Bylisit duket se ka ndikuar tepër te shpresat e shijakasve për të mbijetuar në Superligën shqiptare dhe si gjithmonë i sakrifikuari është trajneri. Xhevahir Kapllani nuk është më trajner i Erzenit, duke u larguar nga stoli tre javë përpara fundit të sezonit. Shijakasit aktualisht kanë zbritur në vendin e 8-të në tabelë, ndërsa përgjegjësia ka rënë mbi Kapllanin. Në 3 ndeshjet e mbetura, Erzeni do të drejtohet nga zv/trajneri Deliallisi.
Largim që konfirmon padurimin e presidentëve të skuadrave shqiptare, ku në mesin e 10 ekipeve elitare, vetëm dy prej trajnerëve i kanë shpëtuar gijotinës. Orges Shehi i Tiranës dhe Giovanni Colella i Partizanit i është besuar stoli gjatë gjithë sezonit, kjo e ndikuar edhe nga rezultatet pozitive, duke qenë në garë të plotë për titullin kampion. Laçi, Egnatia dhe Vllaznia janë skuadrat që kanë ndryshuar më shpesh trajnerë në këtë sezon futbollistik, dy të tillë, për të ndikuar në rezultatet në fushë.
Fitorja e fundit e Erzenit daton në mars, ndaj Egnatias, teksa nuk ka shijuar 3 pikëshin në 8 takimet e fundit. Gjatë kësaj periudhe, shijakasit kanë koleksionuar vetëm tre barazime dhe ka humbur në 5 sfidat e tjera. Kur kanë mbetur edhe tre javë deri në fund, Erzeni gjendet në vendin e 8-të në Superligë me 39 pikë, tre më shumë se Bylis i zonës së rënies nga kategoria.