Martesa 25-vjeçare e Barcelonës me sponsorin kryesor Nike është drejt fundit. Sipas asaj që raportohet nga mediat spanjolle, kontrata që sjell 85 milionë euro në vit nuk është ajo që kënaq drejtuesit katalanas dhe po kërkojnë një zgjidhje alternative.
Barcelona është gati të bëjnë një lëvizje revolucionare dhe të krijojnë markën e tyre që do të prodhonte pajisje për ekipin e parë dhe ato zinxhir të “La Masia”. Është e qartë se në këtë mënyrë Barcelona planifikon të rrisë të ardhurat, pasi aktualisht merr vetëm një përqindje e të ardhurave totale nga shitja e fanellave dhe pajisjeve të tjera.
Një tjetër opsion është nënshkrimi i një kontrate me Puma-n, e cila i ofron pak më shumë se 100 milionë euro në sezon gjigantit katalanas. Në Barcelonë duan të ndahen me Nike në mënyrë të dakordësuar, sepse në të kundërt marka amerikane mund ta raportojë klubin për shkelje të kontratës që zgjat deri në verën e vitit 2028.
Lidhja Barcelona-Nike ka qenë sinonim i madhështisë. Klubi spanjoll ka fituar 12 kampionate, shtatë Kupa Mbreti, nëntë Superkupa të Spanjës, tre Botërore Klubesh, 4 Champions League dhe 3 Superkupa Europiane.