Sipërmarrësi i madh amerikan dhe dhëndri i Donald Trump ka bërë të ditur planet për të investuar në dy projekte turistike në Shqipëri, të cilat kryeministri Rama i cilësoi ambiciozë. Jared Kushner do të investonte në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec, që sipas kryeministrit do ta shndërronin jugun në xhevahirë të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe!
Në Asamblenë e Partisë Socialistë, Rama i quajti delirantë ata që flasin për park kombëtar dhe zonë të mbrojtur që sipas tij e mbrojtur s’ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës.
“Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndri i ish-Presidentit Trump, shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri! Po ata, që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm, e për investimet e huaja direkte, sot po flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe!
Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur s’ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës, që prisnin me dylbi zbarkimin e Flotës së Shtatë Amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë me rregull treshi, se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura.
Hija e ish-Presidentit amerikan dhe frika provinciale nga zemërimi i tij, – ju kujtohet si thonin atëherë kur u zgjodh për mua, por ja ku jam sot- i pengon ata më gojështhurrurit ti bashkangjiten këtyre zërave të lëshojnë rrufetë e akuzave e të shpifjeve në këtë rast, për mua djalin e paudhë të dalë nga thesi i parave të Sorosit, që kam hyrë në një mega-aferë korruptive me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit!
Por e vërteta që ka rëndësi në këtë mes, nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme, për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, Aman Hotels&Resorts, e cila ka ndërtuar një duzinë strukturash në zona përrallore të UNESCO-s në Azi e në Lindjen e Mesme.’- tha Rama.
Teksa theksoi se kjo ishte kërkesa e parë për Sazanin dhe më seriozia, Rama përmendi firmën më prestigjoze të hotelerisë në botë, Aman Hotels&Resorts, e cila ka ndërtuar një duzinë strukturash në zona përrallore të UNESCO-s në Azi e në Lindjen e Mesme, ndërsa garantoi se asnjë tokë zonë me pronësi shtet nuk shitet tek asnjë i huaj.
“Kudo ku të huajt do të investojnë në zona me pronësi shtet, për të ngritur sektorin e ekselencës me pesë yje në industrinë tonë të re të turizmit, shqiptarët do të jenë pjesë përmes aksioneve të shtetit. Dhe ne do të vigjilojmë që projektet e miratuara të jenë shëmbëlltyra të denja për koleksionin prestigjioz të veprave të shkëlqyera të botës në turizëm, e për revistat ndërkombëtare të arkitekturës”.
Rama paralajmëroi një kapitull të ri investimesh private për modernimin e ushtrisë.
“Kjo do të sjellë jo vetëm një rritje të aftësive tona mbrojtëse, jo vetëm një arsye për t’u ndjerë pjesë e një bashkësie të një vendi dinjitoz edhe në këtë aspekt, por edhe një front të ri të punësimit cilësor të të rinjve tanë si dhe një rritje të kualifikimeve të krahut tonë të punës, ashtu siç po bëjmë me Akademinë e Aviacionit”- u shpreh Rama.
Para anëtarëve të asamblesë socialiste Rama përsëriti objektivin që në vitin 2030 Shqipëria përveç të tjerave të jetë një vend i gatshëm që i plotëson të gjitha kriteret për të qenë anëtar i Bashkimit Europian.