Një raport me 500 intervista i hartuar nga OKB zbulon se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit në shkallë të gjerë me metoda torturuese. Raporti vjen pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë kërkon arrestimin e zyrtarëve rusë për dëbimin me forcë të fëmijëve nga Ukraina dhe shënjestrimin e infrastrukturës civile.
Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimeve për Ukrainën ka deklaruar se forcat ruse kanë përdorur tortura, kanë vrarë civilë jashtë luftës.
‘Komisioni ka arritur në përfundimin se forcat e armatosura ruse kanë kryer sulme pa dallim, të cilat janë shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Sulme të tilla kanë ndikuar në objekte që kanë natyrë thjesht civile, si ndërtesa banimi, spitale, dyqane dhe vende me përqendrim të madh të civilëve. Komisioni arriti në përfundimin se përdorimi i torturës nga autoritetet ruse mund të përbëjë krim kundër njerëzimit. Por ajo që duhet theksuar është se ne nuk kemi gjetur se ka pasur gjenocid brenda Ukrainës. Thënë kështu, sigurisht që po ndjekim të gjitha llojet e provave brenda kësaj fushe’, u shpreh kryetari i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar kërkimor për Ukrainë, Erik Mose.