Pas një monitorimi të situatës politike parazgjedhore në Shqipëri për 14 majin, OSBE/ODIHR ngre shqetësimin e konfliktit që ka përfshirë Partinë Demokratike. Në raportin ODIHR thotë se konflikti i brendshëm ka penguar punën e parlamentit, përfshirë edhe atë të komisioneve parlamentare ad hoc për reformën territoriale dhe zgjedhore, të cilat nuk kanë prodhuar rezultat.
Për këtë arsye, OSBE/ODIHR shpreh nevojën për një vëzhgim zgjedhor të gjerë ku përveç ekipit kryesor, do të kërkojë edhe 24 vëzhgues afatgjatë si dhe 300 vëzhgues afatshkurtër duke përfshirë edhe monitorimin mbi mediat.
“Një konflikt i brendshëm brenda PD-së ka ndikuar në punën e parlamentit, përfshirë edhe punën e komisioneve parlamentare ad hoc për reformën territoriale dhe zgjedhore, të cilat nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat. Pas humbjes së partisë në zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie të marsit 2022 dhe pas dorëheqjes së kryetarit të PD-së z.Basha, doli një mosmarrëveshje për postin e kryetarit të PD.
Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj u bë në detyrë kryetar i PD. Por në fund të marsit 2022, Gjykata e Rrethit Tiranë regjistroi ndryshimet statutore të miratuara në dhjetor 2021 nga PD përmes Konventës Kombëtare të thirrur nga z. Berisha dhe mbështetësit e tij që rezultoi me emërimin e z. Berisha si kryetar partie. Ky vendim gjykate është apeluar nga z. Alibeaj në prill 2022 dhe ndryshimet statutore dhe emërimi pezullohen derisa të ketë një vendim për ankesën. Në atë kohë të raportimit, pas disa shtyrjeve të seancave, nuk është marrë asnjë vendim për këtë Apel që ngre shqetësime në mesin e shumë bashkëbiseduesve të NAM-it të ODIHR-it në lidhje me efektivitetin e zgjidhjes juridike”, thuhet në raport.
ODIHR ngre shqetësime për keqpërdorimin e burimeve administrative, duke përfshirë presionin ndaj punonjësve publikë si edhe rritjen e shkallës së punësimit me kontrata afatshkurtra gjatë periudhës zgjedhore.