Tuneli i Llogarasë do të jetë gati në 1 qershor 2024. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili ka bërë me dije se ditën e sotme kanë përfunduar gërmimet. Vetë kreu i qeverisë e ka konsideruar si një moment emocionues, teksa tha se puna është kryer në kohë rekord.
“Përfundojnë me një moment emocionues për të gjithë skuadrat e angazhuara, gërmimet e tunelit të Llogarasë, i cili tanimë është i hapur në krejt gjatësinë e vet, falë përmbylljes së procesit më të vështirë për ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore, që do të shkurtojë konsiderueshëm kohën e udhëtimit drejt Jonit, duke rritur njëkohësisht standardet e sigurisë rrugore. Një punë e bërë në kohë rekord që do të pasohet tani me proceset e tjera, deri në përfundimin e plotë të të gjithë veprës, shpresojmë në 1 qershor të vitit të ardhshëm”-shprehet Rama.
Tuneli pritet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash dhe do të ketë një impakt të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit të jugut të Shqipërisë.
Punimet kanë nisur në fund të Nëntorit të vitit 2021. Ky investim kushton afro 140 milionë euro dhe vepra konsiderohet si ndër më të rëndësishmet infrastrukturore për jugun e vendit, që pritet të shkurtoj distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta.