Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje që kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të dëgjojë aleatët dhe të bëjë hapa pas për të mos vazhduar më në një rrugë të rrezikshme. Sipas Ramës, me këtë qëndrim, Kurti po lëndon vetë Kosovën e ndërsa apelon për dialog.
“Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova! Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm! Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare”, shkruan Rama.
Mirëpo, ish kryedemokrati Lulzim Basha shprehet se ngjarjet e sotme tregojnë qartë palën që po kërkon destabilizimin e situatës, ndërsa kërkon edhe nga Prishtina zyrtare që të bëjë veprime të matura.
“Thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Dënoj me forcë dhunën e paprovokuar ndaj trupave të KFOR, Policisë së Kosovës dhe mediave. Për këdo është e qartë se kush është i interesuar për dhunë dhe destabilizim.
Autoritetet e Kosovës duhet të tregojnë maturi në këtë situatë të tensionuar dhe të veprojnë në koordinim të pandarë me aleatët tanë, SHBA , BE dhe NATO.
Dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga SHBA me rezultat njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja rruga për paqe dhe stabilitet dhe për një jetë më të mirë për shqiptarët dhe serbët në Kosovë”, shkruan Basha.