Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas katër vrasjeve të ndodhura në 24 orët e fundit, ajo në Sarandë, në Elbasan, dhe atentati në Vlorë më dy viktima.
Blushi thotë se nuk ka shtet, por ka vetëm krim që ka shtetin e vet. Më tej, Blushi shkruan se mungesa e autoritetit të shtetit dhe vigjilencës për të parandaluar dhe goditur krimin përpara se ai të marrë jetët e qytetarëve është një akuzë e fortë për Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit.
Blushi bën përgjegjës Edi Ramën, kur thotë se “krimi nga nëntoka, ka dalë në publik dhe demonstron forcën para qytetarëve, duke u marrë deri dhe jetën”
Reagimi i plotë:
NUK KA SHTET! KA VETËM KRIM QË KA SHTETIN E VET!
Katër viktima në më pak se 24 orë është bilanci tragjik i revanshit të krimit dhe pasigurisë së jetës në mbarë vendin. Mungesa e autoritetit të shtetit dhe vigjilencës për të parandaluar dhe goditur krimin përpara se ai të marrë jetët e qytetarëve është një akuzë e fortë për Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit. Të kontrollosh jetën private, “deri edhe mendimet” e qytetarëve nëpërmjet patronazhistëve, por të dështosh me institucionet e ngarkuara me ligj në parandalimin e vrasjeve dhe moskapjen e autorëve të tyre do të thotë se kjo Qeveri është në aleancë me krimin, mburojë dhe frymëzuese e tij. Një Kryeministër që 10 vite në pushtet promovoi krimin dhe trafikun e drogës me ministra në Qeveri, deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë në administratë është tregues se në Shqipëri krimi e ka kapur për fyti shtetin. Është Rama përgjegjës që krimi nga nëntoka, ka dalë në publik dhe demonstron forcën para qytetarëve, duke u marrë deri dhe jetën.