Kryeministri Edi Rama ka bërë reagimin e parë pas fitores. Ai e ka konsideruar si një fitore të madhe, por që nuk duhet të “dehen”.
“Kjo është një fitore shumë e madhe për t’u festuar. Vetë ndihem shumë i vogël përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve tanë nga Tropoja në Konispol. Kam dhe besoj kemi të gjithë nevojë të ruhemi nga era e fortë dehëse e një fitoreje si kjo. E kam të nevojshme të shkoj sa më shpejt në Shkodër për të nisur nga qyteti më i bekuar nga zoti dhe më i keqtrajtuar nga robi, një tur falënderimi në të gjithë Shqipërinë. Nuk dua ta harrojë askush se këto ishin zgjedhje vendore, patjetër me dimension politik të imponuar nga hijet e së shkuarës që tentuan ta tërhiqnin këtë vend mbrapa dhe i shikon këto zgjedhje si aksion revolucionar si përmbysje ndaj qeverisë”, tha Rama.
Ai hodhi akuza në drejtim të KQZ, duke e cilësuar si dështimi më i madh në këto zgjedhje.
“Zgjedhjet nuk kanë pasur asgjë të veçante në asnjë aspekt, përveç dështimit spektakolar të KQZ, për të filluar në kohë votimin në 500 qendra, njerëzit ishin në radhë, por nuk votuan. Kjo ishte një gjë e rëndë, tronditëse, për faktin se pajisjet elektronike kanë garantuar një transparencë shumë të më të madhe. Gabim i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm, nuk do e lëmë me kaq, aq më tepër kur pamë skenat e tmerrshme që hidheshin si arka bosh. Miliona euro nga taksat e shqiptarëve”, tha Rama.