Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se paga minimale do të shkojë në 40 mijë lekë brenda disa javësh.
Nga kjo rritje do të përfitojnë edhe studentët e ekselencës, që janë bërë pjesë e grupit që shpërblehen me një pagë mujore që ishte përcaktuar për ta në vlerën e pagës minimale. Pra, sa herë që paga minimale do të rritet, do të përfitojnë edhe studentët.
“Dua t’ju them një sekret se jemi këtu midis nesh dhe mbase është gjëja e duhur për të ndarë me ju përpara fjalëve të tjera të rastit që paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë. Kur them shumë shpejt domethënë çështje javësh dhe do të aplikohet për të gjithë. Nuk duam të kemi pagë më të ulët se 40 mijë lekë qoftë në sektorin publik, qoftë edhe atë privat”, tha Rama.
Në takimin me studentët përfitues të programit të bursave të studimit sa një pagë minimale e përmuajshme, kreu i qeverisë foli edhe për emigrimet e të rinjve.
“‘Vendi ynë ka nevojë për shërbime dhe shërbimet kanë nevojë për njerëz të kualifikuar. Gjithnjë e më shumë bluza atë bardha po spostohen drejt Gjermanisë. Ne nuk mund të pajtohemi me idenë se mund të mbetemi pa mjekë pa infermierë. Deri sot balanca është e qëndrueshme edhe pse nuk është një balancë e sigurë për të nesërmen. Nuk është fakt para të cilit ne mund të dorëzohemi”, shtoi kreu i qeverisë.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi bëri thirrje të gjithë maturantëve, që të punojnë me qëllim që edhe ata të përfitojnë tarifë të tillë çdo muaj.