Kryekomisioneri i zgjedhjeve Ilirian Celibashi refuzoi të komentonte qëndrimin e kryeministrit Edi Rama.
“Nuk kam asnjë koment për këtë deklaratë të kryeministrit”, tha Celibashi.
Kryekomisioneri komentoi edhe videon ku pajisjet e identifikimit elektronik hidheshin në mënyrë të pakujdesshme duke i dëmtuar. Ai tha se ndihet i keqardhur, por theksoi se kjo nuk e zhbën punën e KQZ.
“Jam ndjerë shumë i keqardhur dhe i inatosur kur kam parë ato pamje, i kam parë pa se të dilnin në rrjetet sociale, ata janë punëtorë që janë rekrutuar për shërbime të caktuara, ngarkim shkarkim, nuk është justifikim, do ishte e tepërt të them që KQZ, do ketë vlerësimet e veta, ai gjest të errësojë dhe eklipsojë gjithë përpjekjen e ndershme që KQZ si institucion ka bërë për t’i përgatitur këto zgjedhje, ku gjest nuk mundet ta errësojë dhe as ta vë në dyshim”, shtoi kryekomisioneri.
Sa i takon problematikës me pajisjen e identifikimit, Celibashi theksoi se vetëm 5% e qendrave të votimit janë hapur pas orës 08:00 dhe sipas tij kjo vonesë nuk ka patur impakt në numrin total të votuesve.
“90% e qendrave të votimit, është hapur mes orës 07:00 dhe 7:30, vetëm 5% pas orës 8 dhe për 5% të tjera ka filluar mes orës 08:00 dhe 09:30, pra janë vetëm 5% e qendrave ku procesi ka filluar pas orës 8, këto janë fakte dhe pastaj mbi këto fakte, mund të bëjë vlerësimin e vet, por asesi impakti i kësaj vonese ka qenë negativ mbi mbarëvajtje së procesit, e di që kanë shkuar votues dhe nuk kanë mundur të votoj, prandaj ne i japim gjithë ndjesën tonë, sepse do duhet të ishte hapur në orën 07:00”, përfundoi Celibashi.