Kryeministri Edi Rama dhe lidhja e tij me ish zyrtarin e lartë të FBI, Charles MvGonigal duket se ka shërbyer për të bashkuar dy palët e opozitës. Deputeti Luçiano Boçi ka dorëzuar ditën e sotme në Kryesinë e Kuvendit, kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor. Në total kërkesa është firmosur nga 44 deputetë të opozitës.
“‘Kemi dorëzuar kërkesën për 44 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen Rama-McGonigal. Me këtë komision do ta nxjerrim Ramën nga kamarja ku është fshehur, pasi që e dini shumë mirë që kryeministri nuk pranon as interpelancë, as mocion me debat, as vjen të japë shpjegime në parlament, por në mënyrë të çuditshme del nga frengjia e Skype-s dhe mundohet të justifikohet. Jo vetëm Komisioni do ta nxjerrë nga kamarja, por do ta nxjerrë edhe protesta e datës 11. Ndërkohë që, e dimë shumë mirë që ka një paralajmërim nga kreu i grupit parlamentar të PS për mospranimin e Komisionit Hetimor, nën justifikimin që nuk di sesi t’ia vë epitetin fëminor, apo budallallëk ligjor, pasi pretendon që ky Komisionet do të ndryshohet. Ndërkohë rregullorja e përcakton qartë në nenin 25, kur ¼ e deputetëve kërkojnë ngritjen e një komisioni është detyrë e Kuvendit ta pranojë komisionin”, tha deputeti i PD.
Ai tha se në një kohë kur Rama refuzon që të jetë në Kuvend për të bërë interpelancën me grupin e Enkelejd Alibeajt, Boçi thotë se në Komision do të vijë patjetër e të japë llogari.
“Do vijë në Komision Hetimor si Çeço dhe do të përgjigjet para këtij komisioni. Paralelisht jeni njoftuar që Kongresi Amerikan ka ngritur një komision të tillë hetimor dhe ka kërkuar nga FBI të gjitha informacionet e detajuara për këtë çështje McGonigal, përfshirë edhe Ramën, sepse është edhe akuza e dytë që bëhet në aktakuzën e Grand Jurisë. Dhe njëkohësisht, ky komision i yni do i marrë të gjitha detajet dhe do të kërkojë nga kryeministri të gjitha takimet dhe pjesët e duhura për të zbardhur të gjithë skandalin e përpjekjes së Ramës për të korruptuar institucionet e sigurisë amerikane me qëllim goditjen e sistemit politik në Shqipëri, goditjen e pluralizmit, eliminimin e opozitës” shtoi ai.
Ky vendim i opozitës vjen pasi një aktakuzë nga drejtësia amerikane përmend kryeministrin Edi Rama dhe lidhjen e tij me ish zyrtarin e lartë të FBI. Një ditë më parë, kreu i qeverisë tha se McGonigal nuk ka përfituar asgjë nga lidhjet me të dhe se ndaj tij SHBA nuk ka nisur hetimet.