Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ia ka bërë të qartë kryeministrit Edi Rama se nuk mund të japë shpërblime për asnjë kategori të caktuara në prag zgjedhjesh. Në një deklaratë për mediat, Celibashi tha se një gjë e tillë është e ndaluar nga Kodi Zgjedhor e për këtë arsye do të diskutohet dhe do të merren masat.
“Një gjë mund të them dhe s’kam pse ta fsheh që në përgjithësi Kodi Zgjedhor ka ndalime për vendimmarrje të caktuara të institucioneve vetëm 4 muaj para zgjedhjeve deri në krijimin e qeverisë së re. janë disa ndalime që lidhen vetëm me rastet e zgjedhjeve të përgjithshme. Disa kufizime janë të qarta për rastet e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.
Në momentin që do të kemi aktin apo veprimtarinë publike do të vendosim. Kur të jetë momenti do të duhet që të disponojmë me vendimmarrjen në lidhje me atë proces që është anonçuar. Për deklaratën nuk mund të jap një përgjigje. Ne duhet ta respektojmë ligjin dhe kodin zgjedhor. Duhet të shohim si vendosim me ligjin dhe kodin zgjedhor.
Pse kodi ka parashikuar vetëm për rastin e zgjedhjeve parlamentare këtë nuk di që ta them. As deklarata e kryeministrit mbi Kodin zgjedhor nuk kam asnjë arsye për t’i komentuar. Nëse një gjë është e caktuar në ligj është ligj. Sa kohë që një rregullim është pjesë e ligjit do të jetë strikt.’- tha Celibashi.
Ky reagim vjen nga pasi kryeministri Edi Rama tha se në muajin prill pensionistët do të marrin 5000 lekë si një formë për t’i mbrojtur ato nga rritja e çmimeve që ka kapluar si pasojë e luftës në Ukrainë. Mirëpo, në ndryshim nga Celibashi, Rama tha se do të vijojë ta bëjë këtë se Kodi Zgjedhor e ndalon që të ketë premtime apo shpërblime vetëm në rastin e zgjedhjeve parlamentare dhe jo ato vendore.