Mjaftoi vetëm një orë dëborë që tre qytete të bllokoheshin pothuajse plotësisht dhe të rrinin për orë e orë të tëra pa energji elektrike. Bashkitë e të gjitha vendeve kanë fonde të caktuara për rastet e emergjencës që krijohen nga kushtet atmosferike.
Mbrëmjen e kaluar, rreth 300 automjete mbetën në bypass-in e ‘Rrugës së Arbrit’ pa asnjë ndihmë dhe pa asnjë shpresë se do të shkonin në shtëpitë e tyre teksa temperaturat shkonin në minus.
Fëmijë, gra dhe të moshuar kanë lënë automjetet e tyre dhe kanë kaluar disa orë në një lokal në hyrje të bypass-it. Në raste të tilla në të gjithë botën, ngrihet shteti në këmbë pasi jetët e njerëzve janë primare dhe për to luftohet deri në fund.
Kishte nga ata familjarë që hipën në makina të huaja 4×4 dhe braktisën automjetet në mungesë së ndihmën nga shteti. Asnjë borëpastruese për disa orë nuk u shfaq, siç kanë pohuar edhe qytetarët e ngecur në dëborë. Asnjë ekip kërkim-shpëtimi për të evakuuar të bllokuarit në dëborë. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku është shfaqur në bypass po se nga ku ka mbajtur askush nuk po e kupton, pasi rruga ishte e bllokuar për të gjithë. Në hyrje të bypass-it, nga Tirana drejt Dibrës, gurët e vendosur për të mos lejuar qarkullimin e mjeteve janë zhvendosur dhe ka kaluar ministrja. (në rrugën e pahapur ende)
Edhe gjatë ditës së sotme, automjetet ndodhen në bypass pasi nuk munden t’i lëvizin për shkak të ngricës në rrugë dhe mungesës së kriposjes. Kush mban përgjegjësi për atë situatë traumatike të ndodhur vetëm disa minuta larg Tiranës? Një rrugë e re e inauguruar nga kjo qeveri, nuk ka asnjë standard dhe ‘merr në qafë’ qytetarët të cilëve ju kanë marrë taksa për atë rrugë. Pse duhet fëmijë, gra dhe të moshuar të tremben për disa orë me radhë dhe të jetojnë me frikë dhe të humbin besimin tek policia, ndihma e shpejtë dhe qeveria?
Siç ekziston dhe shprehja e famshme, qeveria dhe politikanët kujtohen se njerëzit janë të rëndësishëm, vetëm kur ka zgjedhje.