Qeveria gjermane miratoi një projektligj që legalizon blerjen dhe posedimin e kanabisit për qëllime argëtimi. Legjislacioni do t’i lejojë të rriturit të posedojnë deri në 25 gram kanabis për përdorim personal.
Njerëzit gjithashtu do të lejohen të bashkohen me “klubet e kanabisit” jofitimprurëse me deri në 500 anëtarë, ku droga mund të kultivohet dhe blihet ligjërisht.
Projektligji duhet të miratohet nga ligjvënësit në parlamentin gjerman. Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach e quajti projektligjin “një pikë kthese” në qëndrimin e Gjermanisë ndaj kanabisit.
Të miturve do t’u ndalohet ende përdorimi i drogës dhe qeveria do të nisë një fushatë që paralajmëron për rreziqet shëndetësore veçanërisht për të rinjtë.