Transporti publik në Gjermani është paralizuar këtë të hënë. Kjo për shkak të grevës 24 orëshe të dy sindikatave më të mëdha në këtë vend.
Greva përfshin stafet e aeroporteve, porteve detare, hekurudhave, autobusëve dhe linjave të metrove.
E gjitha ka ardhur për shkak se Sindikatat kërkojnë paga më të mëdha, nisur nga fakti se punëtorët po përballen me rritjen e çmimeve. Deri më tani janë mbajtur disa greva më të vogla në Gjermani, por kjo konsiderohet më e madhja në dekada.
Sindikata “Verdi” përfaqëson rreth 2.5 milionë punëtorë në sektorin publik të Gjermanisë, ndërsa sindikata “EVG” përfaqëson rreth 230.000 punëtorë.
“Verdi” kërkon 10.5% rritje të pagës për stafin, ndërsa “EVG” kërkon rritje prej 12%. Operatori kombëtar i hekurudhave, Deutsche Bahn, i ka dënuar grevën dhe i ka përshkruar si “të pabaza dhe të panevojshme”.