Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë mesditën e sotme në një deklaratë për mediat, ku fillimisht është fokusuar te aksioni i IKMT-së në ambientet e “Prestige Resort”.
Sipas tij ky është një sulm vandal dhe terrorist ndaj medias së lirë. Ish-Kreu i Shtetit thekson se argumentet që jep qeveria se gjoja nuk kishte plotësuar kushtet janë qesharake.
“Sot të gjithë qytetarët që kanë ndjekur mediat janë shokuar nga sulmi i paligjshëm, vandal dhe terrorist i bandës së Edi Ramës kundër një resorti gati 27 vjeçar në vendin tonë dhe që aktualisht është një ndër resortet më të suksesshëm më të promovuar, i cili është promovuar nga vetë Rama në mënyrë të përsëritur. Keni dëgjuar një pseudo-argument qesharak, se resorti ishte me leje por me kusht. Ngaqë nuk ishin plotësuar kushtet, prandaj u vendos shkatërrimi në kulmin e sezonit turistik dhe ku sot do të zhvillohej një dasmë. Si njeri i ligjit që është ai është shumë i shqetësuar që nuk gjoja nuk qenkan plotësuar kushtet të pagimit të taksave”, tha Meta në konferencë për mediat.
Ilir Meta: Inceneratori i Tiranës, monumenti më i madh i korrupsionit me letra, ideator dhe përfitues është Edi Rama!
Ndër të tjera, Meta ka pyetur perse institucionet ligjzbatuese dhe IKMT nuk shkojnë në Inceneratorin e Tiranës, teksa e ka quajtur atë “monumentin më të madh të korrupsionit me letra” dhe ka akuzuar se ideator dhe përfitues është Edi Rama.
“Pse nuk shkon IKMT dhe tek Inceneratori i Tiranës që e ka lejen me kusht prej tre vitesh? Kur dihet që atje nuk është bërë as Inceneratori e shumë detyrime të tjera që ka pasur sipas kushteve, sepse monumenti më i madh i korrupsionit me letra deri tani në këtë vend që ka si arkitekt, ideator, ekzekutor e përfitues kryesor vetë Edi Ramën i plotëson të gjitha kushtet pasi taksat e qytetareve të Tiranës vidhen por plotëson dhe kushtin që ndodh një evazion i vërtetuar fiskal.”, u shpreh Meta në lidhje me këtë çështje.
Ilir Meta: Emergjente që Kuvendi të verifikojë shëndetin mendor të Edi Ramës, të nisë procedurat për t’i bërë testin e drogës!
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kërkuar që Kuvendi të marrë masa urgjente për të verifikuar shëndetin mendor të kryeministrit të vendit. Meta tha se është nevoja që Edi Rama gjithashtu të bëjë dhe testin e drogës.
“Emergjente që Kuvendi të nisë procedurat për të verifikuar shëndetin mendor të Edi Ramës dhe të gjithë evoluimit të kartelave të tij psikike, jo vetëm kaq por të merren masa për ti bërë testin e drogës dhe përdorimit të substancave narkotike pasi për shkak të detyrës që ka mund të shkaktojë dhe dëme më të mëdha sa i takon interesit kombëtar, e funksionimit të shtetit të së drejtës.”, theksoi Meta.