Një ndër premtimet më të mëdha elektorale të 14 majit, ndonëse nuk ishin zgjedhje të përgjithshme, ishte rritja e pagave. Qytet më qytet, në çdo ndalesë që bënte kryeministri Edi Rama “rrihte gjoksin” duke thënë se në maj qytetarët do të marrin pagën e rritur, madje nisur nga fakti se nuk kishte kaluar ende në Kuvend, ai kujdesej të theksonte se kjo nuk do jetë aspak problem. Rritja e pagës do të nisë që në muajin prill, thoshte kryeministri, duke folur me një siguri të pashpjegueshme që mesa duket i bindi qytetarët të cilët i dhanë votën dhe i besuan premtimeve.
Mirëpo zgjedhjet kaluan, Rama mori shumicën e Bashkive, 53 të tilla, madje edhe Shkodrën historike të djathtë dhe menjëherë “nxori kthetrat”. Fillimisht u tha qytetarëve se duhet të bëhen gati për një rritje të çmimit të energjisë gjatë verës. Koha kur trumbetonte me të madhe se do të ishte qeveria që do mbulonte çmimin e rritur, tashmë i kalon të shkuarës. Barra do i kalojë qytetarit! E ndërsa së fundmi, njoftoi se rritja e shumë përfolur e pagave nuk do të bëhet në maj, por në një moment të dytë. Se kur nuk u dha kohë.
Lajmin se në maj nuk do të merret paga e rritur nuk e dha vetë, por për këtë nxori në një konferencë ministren e Financave, Delina Ibrahimaj e cila “argumentoi” se përse nuk mund të merrte jetë që në këtë muaj ky premtim.
“Kemi miratuar 8 projektvendime që i hapin rrugë një reforme historike për pagat dhe të ardhurat e punonjësve të administratës publike, por ndikon në mënyrë të qëndrueshme politikën buxhetore që kemi implementuar. Janë 200 institucione që preken nga këto vendime dhe mbi 130 mijë të punësuar. Zbardhja e vendimeve dhe aplikimi i tyre merr një kohë më të gjatë. Për të shkaktuar sa më pak vonesa në marrjen e pagave u kemi kërkuar institucioneve të përgatisin dokumentacionin e nevojshëm që pagat e muajit maj në tërësi të kalojnë siç ishin, para se të hyjë në fuqi reforma dhe me zbardhjen e vendimeve do të instruktojmë dokumentacionin e nevojshëm që shtesat mbi pagë të aplikohen qoftë për muajin prill si për majin. Tatimi mbi të ardhurat për shtesat mbi pagë të jetë tatimi i duhur dhe të mos jetë ekstensiv. Me zbardhjen e vendimit do të instruktohen duke prekur listëpagesat në bazë të një udhëzimi të ministrit të Financave. Synojmë të përmirësojmë hierarkinë e pagave. Kjo reformë ka ardhur në kohën e duhur”, tha Ibrahimaj.
Ndër emrat e pakët nga demokratët që ka ngritur zërin kundër këtij premtimi, ka qenë deputetja Jorida Tabaku. Ajo reagoi sot duke thënë se u vërtetua që e gjitha ka qenë një premtim elektoral.
“Zvarritja e pakuptimtë e qeverisë me rritjen e pagave kur ka që në dhjetor që i reklamom dhe mbasi janë miratuar dhe në parlament tregon se premtimi rritjes së pagave ishte reklamë e papaguar fushate dhe nuk ishte i bazuar në llogaritje korrekte të buxhetit.
Nuk e di si ta kuptojmë Ministren e Financave që ka muaj që thotë paratë janë atje, që janë llogaritur efektet, që hyn në fuqi me sot me nesër. Paaftësia dhe këmbëngulja krenarisht në të nuk duhet të jetë justifikim për shtyrjen në kohë të një ligji të miratuar në parlament dhe të dekretuar. Ministri Financash që ngatërrohet në llogari është e pazonja të manaxhojë arkën e taksave të s”qiptarëve”, tha Tabaku.
Për të mos u ndalur në disporpocionin që kanë pësuar pagat të administratës, deputetëve ministrave, kryeministrit e presidentit, krahasuar me mësuesit, mjekët, zjarrfikësit apo pensionet.
Sa për rritjen e pagës minimale 900 euro, edhe për të do duhet të pritet e pritet….se kur nuk i dihet.