BBC ka publikuar një artikull për tensionet në veri të Kosovës, duke theksuar se ato sa vjen dhe po rriten.
Protestuesit kanë bllokuar rrugët dhe thuhet se kanë qëlluar me armë pasi u detyruan të vendosnin targa të Kosovës në makinat e tyre.
Ekziston frika se dhuna midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve etnikë mund të ndizet përsëri, 23 vjet pas luftës në Kosovë, shkruan BBC, raporton Gazeta Express.
Ku është Kosova dhe kush jeton atje?
Kosova është një vend i vogël, pa dalje në det në Ballkan, në kufi me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë. Shumë serbë e konsiderojnë atë vendlindjen e kombit të tyre.
Por nga 1.8 milionë banorët që jetojnë në Kosovë, 92% janë shqiptarë dhe vetëm 6% serbë. Pjesa tjetër janë boshnjakë, goranë, turq dhe romë.
Si e fitoi Kosova pavarësinë?
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në vitet 1990, Kosova kërkoi autonominë dhe pavarësinë e saj. Serbia u përgjigj me një goditje brutale kundër shqiptarëve etnikë që kërkonin pavarësinë.
Kjo përfundoi në vitin 1999, me një fushatë bombardimi të NATO-s kundër Serbisë, midis marsit dhe qershorit. Forcat serbe u tërhoqën nga Kosova – por për shumë shqiptarë dhe serbë të Kosovës, konflikti nuk është zgjidhur kurrë.
KFOR-i i udhëhequr nga NATO është ende në Kosovë, me një forcë aktuale prej 3,770 trupash.
Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë.
Gjithsej 99 nga 193 vende të Kombeve të Bashkuara e njohin tani pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe 22 nga 27 shtete të BE-së.
Por Rusia dhe Kina, të cilat nuk e bëjnë këtë, e kanë bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç është zotuar se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën si një vend të pavarur.
As Kosova dhe as Serbia nuk janë në BE – por: Serbia është një vend kandidat për në BE që nga viti 2012. Kosova ka treguar se dëshiron të aplikojë deri në fund të vitit 2022.
Pse janë ndezur telashet tani?
Marrëdhëniet mes qeverisë së dominuar nga shqiptarët dhe pakicës serbe kanë qenë të acaruara prej vitesh. Fundjavën e kaluar, tensionet kaluan në mosbindje civile.
Qeveria e Kosovës donte t’i detyronte ata në zonat me shumicë etnike serbe t’i ndërronin targat e tyre të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.
Rreth 50,000 njerëz në këto zona nuk duan t’i përdorin targat e Kosovës sepse refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës.
Të dielën, serbët etnikë në rajonin verior të Kosovës, i cili kufizohet me Serbinë, barrikaduan rrugët dhe disa persona thuhet se qëlluan me armë në shenjë proteste. Qeveria e Kosovës shtyu zbatimin e rregullave të reja për një muaj.
A është e përfshirë Rusia?
Qeveria e Kosovës thotë se Serbia po nxit tensione etnike dhe Rusia po e mbështet atë. Serbia dhe Rusia janë aleatë tradicionalë. Pas pushtimit rus të Ukrainës, Serbia refuzoi t’i bashkohej regjimit të sanksioneve të vendeve të tjera europiane. Në vend të kësaj, në maj, Vuçiç nënshkroi atë që ai tha se ishte një marrëveshje e favorshme gazi me presidentin rus Vladimir Putin.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova fajësoi për tensionin në Kosovë autoritetet kosovare që tha se vendosën “rregulla të pabaza diskriminuese”.
Një deputet nga partia e Vuçiçit tha se Serbia së shpejti do të detyrohet të fillojë “denazifikimin e Ballkanit” – duke përdorur të njëjtën gjuhë që Putin e përdori për ta justifikuar pushtimin e tij në Ukrainë. Më vonë ai kërkoi falje për fjalët e tij.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Putini mund ta përdorë këtë për ta zgjeruar konfliktin aktual në Ukrainë dhe për të destabilizuar më tej Europën.