Ndonëse fituar, Partisë Socialiste nuk i kanë pëlqyer kritikat që i ka bërë OSBE-ODIHR. Një ditë më parë, shefja e misionit diplomatik, Audrey Glover tha se “fushata u dominua nga liderët e Partive duke marrë pak në konsideratë interesin e zgjedhësve ku fatkeqësisht fushata dhe pasqyrimi i këtyre zgjedhjeve vendore u përqendrua më së shumti në politikën dhe partitë, veçanërisht jashtë Tiranës”.
Kjo nuk ka mbetur pa një përgjigje nga ana e drejtuesit politik të PS në Fier, Taulant Balla. Ai tha se OSBE-ODIHR doli në këtë përfundim, teksa pa fushatën e pasqyruar në media, por thekson se aty nuk u transmetua ashtu siç duhej.
“Raporti i OSBE/ODIHR, ku zonja Glover që thotë se në këtë fushatë nuk u pa të flitej për çështje te komuniteteve. Nuk e di në cilat takime e ka parë këtë gjë, por nëse i referohen mediave dhe monitorojnë se çfarë pasqyrimi i kanë bërë mediave fushatës kjo është çështje tjetër.
Asgjë që ka ndodhur në fushatë nuk ka lidhje me atë që është pasqyruar në media. Unë i ftoj të shkojnë në një fshat të vetëm të qarkut Fier dhe të pyesin, pasi ne kemi komunikuar me njerëzit dhe pjesa kryesore e fushatës është diskutimi dhe punët që janë kryer dhe do bëhen për komunitetet.
Kjo është edhe arsyeja e madhe e një fitore kaq të thellë të PS në Fier, prandaj të monitorosh media dhe të thuash që nuk pati një diskutim mbi problematikat e komunitetit nuk është korrekte dhe kjo do shikohet deri në fund të këtij raporti”, tha Balla.