Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e përsëriti thirrjen e tij për masa më të ashpra për të parandaluar episodet raciste në futboll gjatë fjalës së tij në Kongresin e UEFA-s.
Muajin e kaluar, portieri i Francës dhe i Milanit, Majk Manjo u largua nga fusha gjatë takimti ndaj Udinezes, pas ofendimeve rraciste nga tifozët vendas. Edhe lojtari i Koventri Sitit, Kejsi Palmer tha se ishte objektiv i abuzimit racist nga disa tifozë të Shefild Wednesday.
Në reagimin e tij, Infantino i quajti incidentet të neveritshme.
“Ne jetojmë në një botë të ndarë! Themi se futbolli bashkon botën, por bota jonë është e ndarë, bota jonë është agresive dhe në javët dhe muajt e fundit kemi qenë dëshmitarë, për fat të keq, shumë incidente raciste.Kjo nuk është më e pranueshme dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndaluar këtë. Sugjeroj që të punojmë të gjithë së bashku në tre muajt e ardhshëm përpara Kongresit të FIFA-s në maj në Bangkok dhe të jemi të gjithë së bashku me një rezolutë të fortë, të bashkuar, të 211 vendet e FIFA-s.”
Infantino vuri në dukje përsëri se futbolli ka disa mjete për të luftuar këtë problem. Duke nisur nga procedura me tri hapa, ku gjyqtari mund ta ndalë lojën dy herë e në fund ta pezulloijë atë, përveç masave disiplinore. Por kreu i institucionit botëror të futbollit theksoi se aktualisht këto nuk janë të mjaftueshme.