Tifozët e Arsenalit janë të bindur se në këtë sezon Arsenali do të fitojë Premier League. Interesimi është mjaft i madh për takimin e fundit që do të luajnë “topçinjtë” kundër Uollvs.
Një pjesë e biletave të blera kanë ridalë në shitje, e dy prej tyre mund të blihen për 60 mijë euro secila. Vendet ndodhen në tribunën e “Emirates Stadium”, raporton tabloidi britanik “The Sun”. Përgjithësisht bileta më e shtrenjtë në impiant nuk shkon më shumë se sa 150 euro, por për këtë rast special, shitësit shpresojnë që të arrijnë fitoren e tyre të madhe.
Fansat e Arsenalit ëndërrojnë që ta shikojnë ekipin e tyre duke ngritur trofeun e Premier Ligës më 28 maj. Ekipi i drejtuar nga Mikel Arteta ka tetë pikë më shumë se sa Manchester City në garën për titull, edhe pse skuadra e Pep Guardiolës ka një ndeshje më pak.
Hera e fundit që “topçinjtë” e fituan titullin kampion ishte në vitin 2004. Skuadra e Artetas kryeson renditjen me 69 pikë, ndërkohë që deri në fund të kampionatit kanë ngelur edhe 10 javë.