Partitë politike që nuk përmbushin kriteret ligjore do të hiqen nga rrugët. Urdhri është dhënë nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Ai tha se partitë politike kanë afat deri të premten ora 00:00 që të raportojnë nëse posterat e vendosura në rrugë janë sipas rregullave, në të kundërtën, do hiqen nga Policia Bashkiake dhe ajo e Shtetit.
“Ne do të urdhërojmë të hiqen të gjitha materialet propagandistike të kujtdo subjekti zgjedhor, të cilat nuk kanë mbishkrimin prodhuar në përgjegjësinë ligjore të, dhe emrin e subjektit. Do urdhërohet policia bashkiake dhe policia e shtetit që ti heqë këto materiale, kjo vlen për të 61 bashkitë dhe vlen për të gjitha subjektet. Do duhet që deri në orën 24:00 të së premtes, duhet të kemi informacion nga drejtuesit respektivë të policisë bashkiake dhe asaj të shtetit në zbatim të këtij vendimi”, tha Celibashi.
Tirana është “mbushur” me postera elektoral dhe ndonëse është e shkruar e bardha në të zezë që do duhet të jenë pranë zyrave elektorale të partive, as një rregull i tillë nuk është zbatuar.