Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se në rastin e skandalit me tenderin e Ujësjellësit të Memaliajt Rama rrezikon të dënohet deri në 12 vite burg.
Ish-kreu i Shtetit ka lexuar dy nene që sipas tij janë shkelur nga Rama. Ilir Meta thotë se shteti është i banditëve dhe nuk ka lidhje me kushtetutën dhe qytetarët.
Kreu i PL-së lexoi nenin 248 dhe 258 për shpërdorim detyre dhe shkelje te barazisë ne tendera dhe sipas tij vetëm ne nje rast, dënimi shkon deri ne 12 vite burg.
“E kuptueshme për çdo qytetar që i ka sytë në ballë për të kuptuar se jetojnë në kushtet e një shteti banditësh dhe jo të një shteti të së drejtës, të demokracisë, të funksionimit të ligjit, të meritokracisë, të konkurrencës së lirë dhe të ndershme. Është e qartë se nuk kemi të bëjmë me një rast të veçante, do të ekspozojmë edhe raste të tjera flagrante të shpërdorimit të detyrës. Pra në shtetin e këtyre banditëve që nuk ka lidhje me kushtetutën tonë, me marrëveshjen e stabilizimit asociimit dhe me anëtarësimin në BE gjithçka bëhet fakti i krye, pazaret bëhen më parë. Rama së bashku me ministrin del dhe thotë fillojnë punimet për qëllim elektorale, ndërkohë që kjo është në proces tenderimi. Edhe kontrata lidhet pas tre muajsh. Ua kam thënë që përgjigjet e Edi Ramës do të jenë me ligjet e tij, me provat e tij me ligjet e tij dhe ne nuk do falsifikojmë asgjë. Për rastin konkret, neni 248 i shkeljeve penale për shpërdorimin e detyrës e bën të qartë që kryerja ose mos kryerja me dashje e veprimeve ose mosveprimeve në kundërshtim me ligjin që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës nga personi që ushtron funksione publike, nëse nuk përben vepër tjetër penale dënohet me burgim deri në 7 vjet. Kalojmë tek neni tjetër i shkelur qartësisht, neni 258. Shkelja e barazisë në tendera apo ankande publike, që bën të qartë se nëse një vepër publike kur kryhet ne tender me vlerë mbi 800 mijë lekë, që kjo e kalon sepse është gati 4 mln euro dënohet me burgim nga 1-5 vjet. Sa më e lartë të jetë vlera aq më i madh është dëmi i shkaktuar nga publiku. 7 dhe 5 bëhen 12 për një rast”, tha Meta.
“Në ditët e ardhshme do të shikoni skandale më të rënda”/ Paralajmërimi i Metës: Ora e rivendosjes së rendit kushtetues është shumë e afërt!
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi gjatë një konference për shtyp nga selia e PL-së se ora e rivendosjes së rendit kushtetues në vend po afron.
Në fjalën e tij Meta u ndal dhe te denoncimi i bërë nga PL në lidhje me ndërtimin e ujësjellësit të Memaliaj, ku nisja e punimeve u bë dy muaj e gjysmë para se të lidhej kontrata me kompaninë fituese të tenderit dhe dy ditë para se të zhvillohej prokurimi.
Meta theksoi se me prova dhe dokumente do të denoncojnë të gjitha vjedhjet e bëra nga kjo qeveri dhe ftoi çdo zyrtarë dhe qytetar t’i bashkohet në këtë rrugëtim, në mënyrë që të çojnë përpara drejtësisë të gjithë drejtuesit që kanë kryer vjedhje.
“Kur bëhen tenderët në këtë mënyrë a e kuptoni se çfarë bëhet me konkurset për në administratë, ku një kontingjent i madh po s’patën kryer vepra penale nuk mund të marrin dot pozicionin e punës. A e patë aty ministrin e Brendshëm, e kuptoni çfarë bëhet me konkurset në policinë e Shtetit. A e kuptoni se çfarë bëhet me provimet e maturantëve, me tokat, me hipotekat a e kupton çfarë bëhet me çdo gjë në këtë vend. Kjo është arsyeja e largimit të shqiptarëve nga vendi. Nuk kemi atdhe për të humbur, as për të shitur dhe kurrsesi për të tradhtuar. Zgjidhja është të gjithë së bashku për të rikthyer rendin kushtetues, për të rikthyer drejtësinë e kapur si dhe për të rikthyer barazinë përpara ligjit të të gjithë qytetareve shqiptarë. Mjet i pazëvendësueshëm për këtë mbetet referendumi. Në ditët e ardhshme do të shikoni skandale akoma më të rënda. Sot dolëm në një rast konkret dhe renditëm nenet që duhet të mbajnë përgjegjësi të gjithë personat e përfshirë duke filluar nga kryeministri. Ndaj i kam bërë thirrje të gjithë zyrtarëve të mos bëhen bedela të kësaj qeverie në largim. Përpëlitjet e fundit të kësaj klike korruptive dhe antishqiptare shtojnë vullnetin e shqiptarëve të jenë në lartësinë e detyrës për t’i dhënë fund një eksperimenti që u bë në këtë vend, ku njerëzit u kthyen në kavie dhe kushtetuta në një letër të rëndomtë. Ora e rivendosjes së rendit kushtetues është shumë e afërt. I ftoj të gjithë qytetarët dhe zyrtarët e ndershëm të dokumentojnë çdo vjedhje. Është detyrë e tyre t’ë dalin në anën e duhur të historisë”, tha Meta.