Pas një periudhe të caktuar që kalojmë në një vend pune, është shumë e natyrshme që të rritemi profesionalisht, e për rrjedhojë të kërkojmë të vlerësohemi më tepër monetarisht. Por edhe në këtë aspekt, ndodh të përballemi me diskriminimin gjinor. Sa herë një vajzë apo grua kërkon rritje rroge, ajo shihet me më shumë dyshim, sesa një burrë që do të ishte në të njëjtat kushte pune si ajo.
Disa ekspertë, këshillues karriere, kanë dhënë pesë këshilla që duhet të keni parasysh përpara se të kërkoni një takim me shefin tuaj për rritje rroge.
- Merrni më shumë përgjegjësi
Para se të kërkoni rishikim page, duhet të keni bindjen që e meritoni atë. Shfaqni gatishmërinë për të udhëhequr një projekt, për të marrë më shumë detyrim.
- Bëhuni pjesë e diskutimeve
Kur jeni të pranishëm në mbledhje, takime apo diskutime të ndryshme, sigurohuni që të flisni ose të kontribuoni më shumë.
- Vlerësojeni veten
Ju jeni personi i parë që duhet të ndiheni krenar për arritjet tuaja në punë. Është shumë e rëndësishme të dini vlerat tuaja.
- Bëjini llogaritë saktë
Kur kërkoni një rritje rroge, tregohuni objektivë dhe me pritshmëri reale. Sigurohuni që ajo që po kërkoni është në përputhje me atë që kompania mund të ofrojë.
- Mendojeni paraprakisht si do ta kërkoni rritjen
Krijoni një ide të qartë se si do ta nisni bisedën me eprorin tuaj, që të mos jeni të papërgatitur përballë tij.