Përçarja e Partisë Demokratike sa vjen dhe thellohet dhe kësaj here edhe brenda vetë grupimit të Gazment Bardhi, Kolegji i Kryetarëve në përfundim të mbledhjes ka dalë në një deklaratë për mediat ku thuhet se kryetari i ri duhet të zgjidhet brenda 15 korrikut, në të kundërtën çdo kohë që kalon shkon në favor të kundërshtarit.
“Partia Demokratike duhet pa asnjë vonesë të zgjedhë kryetarin e saj dhe të nisë organizimin dhe përzgjedhjen, të ekipeve që do ta drejtojnë këtë parti drejt zgjedhjeve të ardhshme. Partia Demokratike nuk mund të vazhdojë të qëndrojë më gjatë pa kryetar. PD ka humbur kohë në pritje, ndërkohë që nuk ka asnjë reflektim nga pala tjetër, as pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit. Procesi për zgjedhjen e kryetarit të përfundojë brenda datës 15 Korrik 2023. Nëse vazhdojmë të rrimë në pritje, atëherë kjo i shërben vetëm projektit te kundërshtarëve tanë politikë. Nuk duhet humbur më asnjë ditë kohë për organizimin e PD, zgjedhjen e drejtuesve dhe shndërrimit të Partisë Demokratike në forcën politike që kërkojnë sot shqiptarët”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Në këtë deklaratë unanime, nuk specifikohet nëse Lulzim Basha duhet të rikandidojë, por i kanë mbyllur derën përfundimisht Sali Berishës.
“Drejtuesit e Partisë Demokratike nga seksionet, grupseksionet, kryetarët e degëve kanë punuar me vetmohim për të mos lejuar asimilimin Partisë Demokratike apo asgjësimin e saj. Ne jemi të vendosur që Partia Demokratike të vazhdojë të jetë një parti aleate e SHBA, Britanisë së Madhe dhe BE, të shndërrohet në një alternativë dhe shpresë për shqiptarët në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025”, përfundon deklarata.