Real Madrid do të kërkojë Kupën e pestë të Botës këtë të shtunë pasi mposhti pa shumë shkëlqim 4-1 Al Ahly. Skuadra egjiptiane ishte kërcënuese në fushën e lojës, me ekipin e Ancelottit që priti shumë për t’i dhënë goditjen fatale. Vinisius shënoi golin numër 50 me fanellën e Real Madrid, për t’i hapur më pas udhë realizimit të Valverde, me uruguajanin që u tregua i saktë nga shumë pranë portës kundërshtare. Al Ahly u përpoq të reagojë, por goli nga penalltia vlejti thjeshtë për statistikë. Kjo pasi Rodrygo e Arribas shënuan sërish për Real Madrid që vulosi fitoren 4-1 në minutat shtesë të lojës për të siguruar kualifikimin. Pavarësisht fitores, tekniku Carlo Ancelotti nuk u shfaq i kënaqur.
“Skuadra ka pësuar rritje. Përmbushëm pritshmëritë edhe pse nuk fituam lehtë. E kemi kontrolluar mjaft mirë sfidën. Eliminimi i Flamengos më habiti pak, pasi ka cilësi të mëdha në skuadër. Si Al Hilal ashtu edhe ne do të jemi të emocionuar për të luajtur finalen”, u shpreh trajneri i Real Madrid, Ancelotti.
Për sfidën ndaj arabëve, Real Madrid do të ketë në dispozicion Eder Militao dhe Karim Benzema, me francezin që ka gjasa për të zbritur në fushën e lojës.