Eurodeputetët kanë shprehur keqardhjen për ngecjen në vend të Malit të Zi në rrugën drejt integrimit në BE si pasojë e krizës së brendshme politike.
Kandidati për kryeministër Milojko Spajic ende është larg formimit të qeverisë së re madje në Malin e Zi deputetët ende nuk kanë zgjedhur kreun e ri të parlamentit tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare. Raporti për Malin e Zi u miratua në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së me 51 vota në favor, tre kundër dhe tetë abstenime.
Në këtë raport shprehet shqetësimi edhe për ndërhyrjen dashakeqe nga jashtë që sidomos vijnë nga Rusia, Kina dhe Serbia.
Eurodeputetët kanë mirëpritur përshtatjen e plotë që Mali i Zi ka bërë me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.
Mali i Zi cilësohej si lider në Ballkanin Perëndimor sa i përket procesit të anëtarësimit në BE. Ky vend ka qenë kandidat që nga viti 2010 ndërsa i hapi bisedimet për anëtarësim në vitin 2012.