Situata në Partinë Demokratike vijon të jetë kaotike. Asnjë sinjal nuk ka ardhur për bashkim, e ndërsa edhe sot palët u dukën edhe më të largëta se kurrë më parë.
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku tha se nëse PD do të ishte futur e bashkuar në zgjedhje, atëherë situata do të ishte më e mirë.
“Kam bërë thirrje për të gjithë ato në PD që duhet të ishin bashkë dhe duhet të ishin të unifikuar, kam bërë thirrje që PD-ja të ndryshonte ofertën, sjelljen dhe prandaj kam kërkuar që të reflektojmë, të mos vazhdojmë me të njëjtat justifikime, t’i japim kohë demokratëve dhe vetes se ku ne gabuam. Ka problem të blerjes së votës dhe kanë qenë aty që prej 10 vitesh, unë besoj se nëse do ishim të bashkuar, do i kishim lënë vendin bashkimit, situata do të ishte ndryshe”, shtoi deputetja.
Mirëpo, Edi Paloka nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” hodhi akuza se Enkelejd Alibeaj është i shitur.
“Aq ia kishin caktuar misionin dhe e çoi deri në fund. BF mori 500 mijë vota në një vend ku u bë gjithçka dhe nuk kishte as para, as komisionerë, as vulë. Ne e njohim realitetin, Rama do të bëjë gjithçka për të marrë zgjedhjet. A ka njeri që dyshon që këto zgjedhje kanë qenë normale? Ky i vodhi dhe do i vjedhi prapë. Duhet të ulërini, në këtë vend nuk bëhet zgjedhje. Kjo nuk është çështje mbrojtje. Unë nuk i shkoj atij që merr lekë në shtëpi. Si bindet ai që i shkon krimineli në shtëpi që i thotë o 50 mijë lekë, ose ke punë me mua. Vërjani gishtin hajdutit njëherë, pastaj thoni si do t’i zgjidhim. Duhet t’i ktheheni hajdutit. Të njëjtat gjëra i kam thënë dhe atëherë dhe për Bashën, nuk e kam bërë fajtor Bashën për vjedhjen e Ramës”, tha Paloka.
Ndërkohë, Ervin Salianji tha se PD duhet të superojë vetëveten, por nuk dha një zgjidhje konkrete se si kjo mund të realizohet.
“Partia Demokratike dhe opozita duhet të gjejë mekanizmat e duhur për të tejkaluar vetveten. Kushdo që e shikon këtë si një moment të dobët për të përfituar nga PD-ja, duhet të mendojë në interes të demokratëve”, u shpreh Salianji.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” mori 7 Bashki, e ndërsa Partia Demokratike zyrtare doli forcë e tretë.