Stoli i kombëtares së Portugalisë është bosh pas largimit të Fernando Santos. Luzitanët vendosën që të ndërprisnin marrëdhënien me teknikun 68-vjeçar, për t’i dhënë kështu fund rrugëtimit të suksesit që filloi në shtator 2014. Federata portugeze ka nisur të mendoj për pasuesin e tij, me emrat që sigurisht janë të shumtë. Dëshira e madhe e tifozëve portugez është Jose Mourinho, trajneri më i mirë në qarkullim në dekadat e fundit.
Diçka që e konfirmon e përditshme sportive “Record” pretendon se Mourinho është objektivi numër 1 i Federatës për të marrë përsipër kombëtaren në kualifikueset e Euro2024. Madje thuhet se palët kanë një marrëveshje verbale, që do i lejonte teknikut të merrte drejtimin në mënyrë të përkohshme pasi duhet të mbyll sezonin me Romën. 59-vjeçari nuk ka drejtuar asnjë skuadër kombëtare në karrierën e tij, teksa në nivel klubesh ka drejtuar dy herë Porton, Chelsea, Interin, Real Madrid dhe Manchester United.
Me suksesin në finalen e Tiranës ku arriti që të sigurojë titullin e Konferencë League, Mourinho u bë trajneri i parë që fiton të gjitha garat aktuale të UEFA-s. kontrata me Romën zgjat deri në vitin 2024, por besohet se nuk do jetë aspak problem për tu prishur. Në listën e dëshirave të Portugalisë për stolin gjenden edhe trajnerët portugez, Rui Jorge që drejton kombëtaren U-21, Abel Ferreira aktualisht te Palmeiras, Paulo Fonseca i Lille, Rui Vitoria (Egjipt) dhe Jorge Jesus (Fenerbahce)./ Klan News