Kanali televiziv i Barcelonës, Barça TV, do të ndalojë transmetimin pas 24 vitesh ekzistence, njoftoi klubi katalanas.
Agjencia Hina raportoi se klubi nuk dëshiron të rinovojë kontratën me operatorin Telefonica.
“Barcelona ka paralajmëruar furnizuesin TBSC Telefonica, kompania që menaxhon kanalin televiziv të klubit, se nuk do të rinovojë kontratën mes tyre, e cila skadon më 30 qershor 2023”, shkroi Barça në një njoftim për shtyp.
Sipas raportimeve në shtypin spanjoll, vendimi është pasojë e vështirësive financiare të klubit.
Kanali televiziv u krijua në korrik 1999, gjatë mandatit të presidentit të klubit Josep Lluis Nunez.
FC Barcelona ka shitur aksionet e Barça Studios Orpheus Media dhe Socios.com për gati 200 milionë euro, shuma që i mundësoi atyre të blejnë polakun Robert Lewandowski nga Bayern Munich verën e kaluar.
Klubi duhet të ulë ndjeshëm kostot e tij në mënyrë që të respektojë rregullat e “fair play”-it financiar dhe të mund të rekrutojë në fund të sezonit, me rikthimin e mundshëm të Lionel Messit.
Një burim pranë kanalit i tha AFP se mbyllja e Barça TV do të lërë të paktën 130 persona pa punë.