Në miqësoren e luajtur Në stadiumin “Air Albania”, Partizani dhe Roma dhuruan emocione dhe spektakël. Interesimi ishte i madh nga tifozeria, që kishte mbushur impiantin. Verdhekuqtë u rithyen në Tiranë, qytet ku kanë kujtime speciale, pasi në vitin e shkuar fituan Ligën e Konferencës.
Roma u shfaq më kërkuese në pjesën e parë ku arriti të realizojë fillimisht me El Sharaui në minutën e 12’ dhe me Belotin në të 26′. Me kalimin e minutave, u bënë ndryshime nga të dy trajnerët Zekiç dhe Mourinho.
Kampionët e Shqipërisë e shënuan golin e vetëm në minutën e 84′ me anë të Tedi Carës, që u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11 metërshit. Kur të kuqtë ngelën me 10 lojtarë, pas dëmtimit të Prekës e nuk mund të bënin më zëvendësime, Murinjo vendosi të nxjerrë Auar, në mënyrë që ekipet të luanin të barabartë në fushë.
Pas miqësores së luksit, Partizani do të vazhdojë përgatitjet për sfidën e kthimit kundër Valmieras më 17 gusht në shtëpi, e vlefshme për raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.