Zv/kryetari i Partisë së Lirisë Agim Nesho ka dalë sot në një deklaratë për mediat nga selia e Partisë në një reagim në lidhje me replikat në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrisë bullgare.
Nesho e cilësoi deklaratën e Ramës në Slloveni se Bullgaria ka penguar procesin e hapjes së negociatave për 8 vite një provokim të qëllimshëm të Ramës.
Deklarata e plotë e Agim Neshos
Në përgjigje të retorikës boshe por të qëllimshme të Kryeministrit Rama në forumin e Bled, se ‘Bullgaria per tetë vite ka penguar integrimin e Shqipërisë në BE’, Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë ka deklaruar se këtë deklaratë anti-Bullgare dhe anti-europiane do ta ndjekë sipas të drejtës ndërkombëtare dhe europiane.
Akuzat për shpifje ndaj kryeministrit Rama, të bëra nga një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe anëtar i NATO-s, një vend historikisht mik i Shqipërisë, ngre alarmin për diskursin anti-europian në të gjitha planet: ndaj politikave të BE-së, ndaj vendeve të vecanta si dhe dështimin në plotësimin e kërkesave themelore të Parlamenit Europian, Bundestagut Gjerman, për forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri.
Duket se zoti Rama, autokrati i ri i Shqipërisë, po perpiqet të imponojë një axhendë jo europiane për Shqipërinë, duke kritikuar, provokuar vendet europiane dhe vetë Bashkimin Europian për të bllokuar procesin e përbashkët konsensual të integrimit të vendit tonë në BE.
Partia e Lirisë, e shikon këtë politikë të personalizuar të zotit Rama si shumë të rrezikshme dhe me pasoja për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane. Qeveria Shqiptare e zotit Rama duhet të kuptojë, që shtetet europiane si Franca, Hollanda, Bulgaria ishin preteksti. Por fakti real, ishte në mungesën e vullnetit politik të kësaj qeverie për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, kapjen e shtetit, etj.
Siç është edhe sot, vullneti i kryeministrit dhe shumicës së tij parlamentare, për të miratuar ligje anti-europiane, si “Pashaportat e Arta”, Amnistia Fiskale Kriminale, Projektet Strategjike pa transparencë dhe duke përjashtuar investitorët Europianë.