300 deri në 400 mijë persona mendohet të kenë dalë të dielën në rrugët e Milanos për të festuar me lojtarët e Inter trofeun e 20 të kampionit të Italisë. Një pjesë e tyre i shoqëruan dy autobusët e hapur nga stadiumi San Siro deri në Piazza Duomo. Për të bërë 8 kilometra rrugë janë dashur thuajse 7 orë, pasi tifozët vendoseshin vazhdimisht përpara tyre.
Kristjan Asllani zgjodhi të mbajë veshur flamurin shqiptar gjatë paradës. Lojtarët vendosën edhe maska me fytyrën e trajnerit Simone Inzaghi. Mes parullave të shumta pati edhe një ku Denzel Dumfries mbante të lidhur si qen Theo Hernandez të Milan dhe për këtë është hapur një hetim.
Vetë futbollisti i Inter e mori këtë nga tifozët. Kur zikaltërit u shpallën kampionë 3 vite më parë festa nuk u realizua, pasi nuk lejohej për shkak të masave anti-Covid. Titulli kampion u sigurua matematikisht të hënën e kaluar me suksesin 2-1 në derbin me Milan. Inter do të marrë trofeun në javën e 37 të kampionatit ku do të luajë me Lazio ndeshjen e fundit në shtëpi.