Pak ditë më parë konsiderohej një ëndërr, por tani mund të bëhet realitet. Carlo Ancelotti duket se ka vendosur për t’u larguar nga Real Madrid në fund të sezonit për të përjetuar ndoshta magjinë e fundit në stol. Italiani është gjithnjë e më pranë kombëtares së Brazilit që po punon fort për të bindur “Don Carlon” për të marrë drejtimin e Seleçaos. Federata braziliane duket se ka bindur tashmë Carlo Ancelotti për të provuar emocionet e drejtimit të një kombëtareje, që shikohet si hapi i fundit në karrierën plot suksese.
Me largimin e Ancelottit, Real Madrid do të hedh sytë nga tregu i trajnerëve. Të shumtë janë emrat që po qarkullojnë në tryezën e presidentit Florentino Perez. Mediat spanjolle bëjnë të ditura se në mesin e dëshirave është edhe një ish si Jose Mourinho. Portugezi do e konsideronte kalimin në Madrid në rast se nuk kurorëzon me trofe sezonin aktual me Romën. Një tjetër profil që i pëlqen Realit është padyshim Mauricio Pochettino. Argjentinasi ka mbetur pa skuadër që prej largimit nga PSG.
Marrëveshja me 51-vjeçarin do shtonte dhimbjet e kokës edhe për kundërshtarët. Pochettino është në krye të dëshirave të Tottenham, që po konsideron shkarkimin e trajnerit Antonio Conte. Pra një efekt domino në pankinat e skuadrave Europiane, ku deri në muajt e verës nuk përjashtohen surprizat.