Urime shqiptarë, sot u votua buxheti i vitit 2024 në vetëm 7 minuta. Mes tymuesesh, kapsollash dhe përplasje karrigesh u vulos edhe një vit. Se çfarë u tha, se çfarë u vendos, as dëgjoi gjë njeri e as nuk kuptoi gjë njeri. Buxheti i cili ka në supe të ardhmen e një shteti për një vit dhe ka milarda lekë nga taksat tona, ku përfshihet arsimi, shëndetësia, rrogat, pensionet, pastrimi e gjithçka që e bën funksional një shtet, kaloi sa hap e mbyll sytë.
Askush nga qytetarët nuk e di se kush është prioriteti i buxhetit të vitit 2024, sa para do të shkojnë për secilin sektor dhe kjo vetëm falë një opozite që si rrugë të vetme ka zgjedhur kaosin dhe rrëmujën në vendin ku fliten fatet e shqiptarëve, Parlamentin. Unë si qytetare e këtij vendi, që paguaj taksa kam të drejtën të dëgjoj çfarë vendoset për mua, për familjen time dhe të afërmit e mi.
Nuk kam asnjë arsye të dëgjoj fyerjet e disa deputetëve të opozitës që të ardhurat ju shkojnë nga të gjitha mënyrat, ndërkohë që pensionistët, studentët, të sëmurët duhet të dëgjojnë nëse diçka e mirë do të miratohet nga ky projektligj.
Deputetët e opozitës kanë të drejtën e votës dhe shumë thjesht mund ta kundërshtojnë secilin nen, por pasi të jetë shpalosur secili ligj dhe qytetarët të jenë informuar.
Nëse opozita është e paaftë të luftojë kundër një qeverie të korruptuar siç edhe ata thonë, duhet të punojnë me platformat e tyre për të fituar besimin e shqiptarëve dhe për të marrë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme.
Kaosi në Kuvend nuk është zgjidhje, sepse paaftësia e tyre po kthehet edhe në paaftësinë e atyre pak demokratëve që ju kanë besuar. Revolta e tyre kundër qeverisë duhet të jetë me protesta dhe me mesazhe në mënyra të tjera.
Opozita duhet të kuptojë që me sjelljen e tyre në Kuvend po luftojnë shqiptarët dhe jo qeverinë, sepse projektbuxheti është i shqiptarëve, jo i të pushtetarëve…