Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se 289 fëmijë vdiqën në 6-mujorin e parë të vitit 2023 në tentativë për të kaluar Detin Mesdhe për të mbërritur në Evropë. Kjo shifër është dyfish më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF kërkoi që fëmijëve që kërkojnë mbrojtje në Evropë t’iu ofrohet një rrugë e sigurt.
Pavarësisht këtyre shifrave, Venera Knaus, udhëheqëse në UNICEF për migrim dhe zhvendosje, tha se në të vërtetë, shifrat reale por të paregjistruara mund të jenë shumë më të larta.
“Numri i fëmijëve që kanë humbur jetën e tyre në tentativë për të kaluar Detin Mesdhe për të arritur në Evropë është dyfishuar në gjysmën e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, – tha ajo.
UNICEF tha se në tre muajt e parë të këtij viti, afro 3.300 fëmijë që kanë arritur në Evropë përmes rrugës mesdhetare kanë qenë të pashoqëruar apo të ndarë nga familjarët e tyre.