Më shumë se 8,000 civilë janë vrarë që kur Rusia pushtoi Ukrainën gati një vit më parë. Kjo deklaratë është bërë sot vëzhguesi i OKB-së për të drejtat e njeriut. Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, ky është bilanci më i fundit që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt 2022.
Misioni i OKB-së për të drejtat e njeriut, i cili ka dhjetëra vëzhgues në vend, tha se priste që numri aktual të ishte më i lartë, mirëpo procesi i konfirmimit të viktimave vazhdon.
Ndërkohë, kur po bëhen gati një vit, presidenti rus, Vladimir Putin ka hedhur akuza të forta në drejtim të perëndimit, ku tha se lufta ka nisur për faj të tyre.
“Janë ata që e kanë nisur luftën. Dhe ne po përdorim forcën për t’i dhënë fund. Ne nuk po luftojmë popullin ukrainas. Ukraina “është bërë peng i regjimit të Kievit dhe zotërinjve të tij perëndimorë, të cilët në fakt e kanë pushtuar vendin,” tha Putin para një auditori të ligjvënësve, zyrtarëve shtetërorë dhe ushtarëve që kanë luftuar në Ukrainë.
Përgjigja nuk i ka munguar nga SHBA-ja, që e kanë quajtur një deklaratë të tillë, absurditet.
“Askush nuk është duke e sulmuar Rusinë. Është absurditet të thuhet se Rusia ka qenë nën një formë të kërcënimit ushtarak nga Ukraina, apo kushdo tjetër”, tha Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.