Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje urgjente për të lejuar aksesin humanitar në Gaza. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e ka cilësuar situatën në prag të humnerës pasi rezervat e karburantit në të gjitha spitalet e Gazës pritet të mbarojnë në 24 orët e ardhshme.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres i bëri thirrje grupit islamik-militant Hamas që të lirojë menjëherë pengjet. Shefi i OKB-së tha gjithashtu se aksesi humanitar në Rripin e Gazës tanimë është më urgjent se kurrë.
Pika e kalimit Rafah midis Gazës dhe Egjiptit është hapur përkohësisht duke lejuar të huajt, përfshirë rreth 600 qytetarë amerikanë, të kalojnë në Egjipt. Më shumë se 500 mijë palestinezë janë strehuar në shkollat dhe ndërtesat e administruara nga OKB në të gjithë Rripin e Gazës.
Më shumë se 2.670 njerëz janë vrarë deri më tani nga sulmet e Izraelit, një e katërta prej tyre fëmijë dhe rreth 10.000 të plagosur, ndërsa 1000 persona të tjerë u zhdukën dhe besohet se janë nën rrënoja.