“Big Brother VIP” (BBV) është dhe duhet parë së pari si një “eksperiment social”, që në thelb dhe në formë ka disa synime sociale diverse.
Njëra prej të cilave është që njerëzit të shikojnë efektet e konkurrencës në performancën e lojtarëve brenda shtëpisë, por që mund të shërbejnë edhe si një indicie se si këta lojtarë i aplikojnë veprimet e tyre në jetën reale.
Ajo që vihet re në këtë Big Brother Vip është shumëllojshmëria e karaktereve që produksioni ka vendosur të bëjë pjesë të shtëpisë.
Personazhe të qetë, të zhurmshëm, të drejtë, të urtë, dinak, ‘të dhunshëm’, paqësor, nevrikë, ironik, gazmor, personazhe që për hir të së vërtetës ne i vëmë re kudo në jetën reale.
Sot do të ndalemi tek personazhet e Big Brother Vip që jetojnë jashtë dhe janë përzgjedhur për t’u bërë pjesë e shtëpisë.
Teksa përmendëm llojet e karaktereve, me siguri gjatë këtij edicioni ju ka rënë në sy një tip i qetë dhe gazmor që personifikohet me figurën e Jorit dhe një tip i drejtë dhe fjalëpak që personifikohet me figurën e Visit.
Në fakt në rrjet, nëse vëmë re, janë të vetmit personazhe për të cilët nuk hidhet vrer dhe nuk shahet lart e poshtë.
Jori një vajzë solare, e qeshur dhe e gazmore duket si një shembull kur Zoti të jep bukurinë dhe zgjuarsinë por njëkohësisht të lë edhe me këmbë në tokë. Asnjë prej nesh nuk mundet ta harrojë ‘ankthin’ dhe ‘stresin’ që ajo kishte kur takoi mamanë e saj brenda shtëpisë, pasi donte që tek familja dhe prindërit e saj të linte ‘një shije të mirë’. Edhe pse e rritur jashtë që fëmijë, ajo përpiqet t’i respektojë të gjithë dhe të mos ofendojë askënd. Pavarësisht cilësive të mira, në një ndër episodet, ajo u ‘tall’ keq duke dashur t’i provokojnë nervat dhe ta nxjerrin nga vetja, por produksioni dështoi me sukses. Asaj ju hodhën në kokë bojë, çimento, ujë, banane dhe e vetmja gjë që diti Jori të bëjë, është të buzëqeshte, të futej të lahej dhe të dilte në prime me peshqir në kokë. Pyetja është: Sa nga vajzat e rritura në Shqipëri do ta bënin këtë gjë? Pse u zgjodh pikërisht Jori? A do reagonin njëjtë si Jori karakteret e tjera të shtëpisë? Dyshojmë!
Nga ana tjetër, Visi, një aktor mjaft i dashur për publikun shqiptar me rolet e tij të panumërta, shumë pak ka arritur ta shfaq veten në atë shtëpi, ku ‘personazhet tipik shqiptarë’ nuk të lënë hapësirë. Visi, me qetësinë që e karakterizon, ka rifituar sërish zemrat e shqiptarëve. Njeriu tipik i rritur jashtë trojeve që nuk e ka standard të bërtiturën dhe ngritjen e zërit kur të tjerët flasin. Nuk bëhet pjesë e diskutimeve nëse nuk lakohet emri i tij dhe në momentin që pyetet për diçka, është i prerë, i drejtë dhe i paanshëm kur flet. Ai ishte pjesëmarrës në ‘talljen’ që ju bë Jorit dhe nëse vihet re në disa fragmente ai ndihet i keqardhur për atë veprim që iu bë një vajze, që mund të ishte vajza e kujtdo. Ai u përpoq që ta zhdramatizonte situatën duke e thirrur Jorin në emra burrash gjë që shkaktoi shumë të qeshura në publik.
Personazhi i Jorit dhe Visit u zgjodhën për atë sfidë sepse produksioni e ka ditur, se dy njerëz të cilat i kanë bërë ballë jetës vetë, jetojnë larg të afërmve të zemrës, janë shumë spontan, punojnë natë e ditë për të fituar jetesën, do ta merrnin me sportivitet dhe do kënaqnin publikun. Por si pa kuptuar, ata i shtuan pikë vetes. Duhet ta pranojmë që ata që rriten jashtë kanë një tjetër edukatë, janë më fleksibël dhe kërkojnë nga vetja një standard shumë ndryshe nga ata që janë rritur dhe jetojnë në Shqipëri. Ndaj në këtë Big Brother Vip, Jori dhe Visi janë dy personazhe atipik shqiptarë./ Klara Murra