Normat e interesit të kredive po rriten edhe për monedhën europiane.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se norma mesatare e interesit për kreditë e reja në euro në muajin shtator arriti në 4.61%. Ky është niveli më i lartë mesatar i regjistruar që prej prillit të vitit 2017.
Megjithëse normat mesatare të interesit të kredive në euro janë shfaqur ende të luhatshme dhe me një tendencë më pak të qëndrueshme krahasuar me ato në lekë, në terma mesatarë sinjalet e rritjes janë të dukshme edhe në këtë segment. Rritja e normave të interesit në muajin shtator ishte veçanërisht e theksuar në kreditë me afat të shkurtër maturimi.
Për periudhën korrik-shtator, që përfshin nisjen e rritjes së normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane (BQE), norma mesatare e interesit të kredive në euro ishte 4.44%, nga 3.94% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Mes muajve korrik dhe tetor, Banka Qendrore Europiane e ka rritur tre herë normën bazë të interesit nga niveli 0 në 2%. Kjo politikë tashmë po përcillet edhe në kostot e huamarrjes së re në monedhën europiane edhe për publikun shqiptar.
Për sa u takon huamarrësve ekzistues, përcjellja e efekteve ndodh autoamtikisht nëpërmjet treguesit benchmark të kuotimit të interesave të kreidve, Euriborit. Euribori 12 mujor tashmë ka arritur në nivelin 2.85%, ndërsa një vit më parë ishte në vlera negative.
Kjo rritje përcillet në kreditë me interes të ndryshueshëm në rivlerësimin periodik të normës së interesit dhe po sjell rritje të shpenzimeve për interesa.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit shtator kredia në valutë të huaj ishte e barazvlefshme me 350.5 miliardë lekë, në rritje vjetore me 17%. Kjo shumë përbën afërsisht 49.4% të portofolit total të kredisë për ekonominë.
Pjesa dërrmuese e kredisë në valutë të huaj jepet në monedhën europiane. Kredia në euro është dominuese veçanërisht në segmentin e biznesit të madh dhe të mesëm. Pesha e lartë e kredisë në euro është e lidhur ngushtë me nivelin e lartë të euroizimit të ekonomisë dhe sektorit financiar shqiptar.
Përveç atyre sektorëve që e marrin kredi në euro për shkak të natyrës së aktivitetit dhe marrëdhënieve tregtare me vendet e Eurozonës, kredia në euro ka një peshë të lartë edhe për të financuar investimet në pasuri të paluajtshme nga individët dhe bizneset.
Kreditë në euro kanë pasur historikisht norma më të ulëta interesi krahasuar me kreditë në lekë, megjithëse në vitet e fundit diferencat janë ngushtuar ndjeshëm, me thellimin e politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë.
Për ata huamarrës që nuk kanë të ardhura në euro, kredia në monedhën europiane i vendos përballë rrezikut të kursit të këmbimit. Për këtë arsye, Banka Qendrore është përpjekur ta frenojë këtë kategori të kredisë, duke u vendosur bankave kërkesa më të larta kapitali për të mbuluar kreditë e këtij lloji.
Por, fakti që leku në vitet e fundit po mbiçmohet ndaj euros e ka bërë këtë rrezik më pak të perceptueshëm për kredimarrësit./Monitor