Më shumë se 75 milionë njerëz janë prekur nga paralajmërimet e njëpasnjëshme për valën e tymit që po “mbyt” SHBA-në . Imazhet e frikshme në Nju Jork po bëjnë xhiron e botës dhe po lënë pa frymë pasi për shkak të mjegullës mbizotëruese, rrokaqiejt e tëra janë… zhdukur.
Gjithashtu është shpallur një gjendje e jashtëzakonshme, ku cilësia e ajrit është prekur edhe në juglindje të SHBA nga qindra zjarret në Quebec.
Pamjet me dron tregojnë renë e trashë të tymit që ka mbuluar Nju Jorkun.
Në shtetin e Nju Jorkut, ankthi po përshkallëzohet për shkak të tymit të dendur dhe përqendrimit të grimcave të pezulluara. Banorëve u kërkohet të kufizojnë daljet nga shtëpitë e tyre, shkollat po anulojnë aktivitetet në natyrë dhe në të njëjtën kohë po shpërndajnë maska për ata që ecin përreth.
Qyteti i Nju Jorkut kishte një AQI prej 484 të mërkurën pasdite, i cili klasifikohet si “i rrezikshëm” dhe është niveli më i lartë i cilësisë së dobët të ajrit të regjistruar në qytet që nga vitet 1960 .
Gjithashtu tregues i klimës së pashëndetshme që mbizotëron në qytete si Philadelphia, Jersey City dhe New Haven është fakti se treguesit e cilësisë së ajrit varionin deri pak orë më parë nga 200 në 300.
Paralajmërimet për të shmangur udhëtimet shqetësojnë edhe ata që janë të shëndetshëm pasi problemet e frymëmarrjes mund të shfaqen në të gjitha grupet.
Megjithatë, rreziku është i madh për të moshuarit, fëmijët dhe ata me probleme të frymëmarrjes.