Pabarazia është një fenomen që ka ekzistuar dhe ekziston ende në shoqërinë tonë. Përballemi jo rrallëherë me pabarazinë gjinore apo racore, në vendet e punës, në komunitet, në familje, në shoqëri. Por, ajo çka mendoj se është shqetësuese po aq sa dy llojet e përmendura më sipër, është dallimi mes shtresave, që në disa raste mbetet plagë e pashërueshme.
Mora shkas nga një rast i ditëve të fundit (personal) teksa ndodhesha diku për të drekuar. Në krahun tim të majtë, drekonte një familje prej 4 personash (nëna, babai, dy fëmijët), që dukshëm ishin në gjendje mjaft të mirë financiare. Këtë e vura re nga çanta e shtrenjtë e zonjës, ora luksoze e zotërisë, veshjet dhe telefonat e fëmijëve, që i mbanin edhe pse në një moshë shumë të vogël.
Pas disa çastesh, pranë tyre afrohet një vajzë e vogël me vëllain (ndoshta) që e mbante tërhequr prej dore dhe i bërtiste herë pas here, duke i thënë “ec se u lodha”. Teksa iu afrua familjes, pashë menjëherë reagimin e zonjës. Filloi t’i bërtiste dhe t’i largonte me çdo mënyrë, bashkë me bashkëshortin, njësoj sikur të ishin një virus që do t’i mbyste.
Vogëlushët u trembën dhe u sprapsën disi, pa e kuptuar reagimin e zonjës dhe bashkëshortit të saj. Vogëlushi që vajza mbante prej dore, siç duket u tërhoq nga telefoni me të cilin djali i zonjës po luante, dhe iu afrua duke i thënë “a ma jep mua”. Ndoshta, zonja ishte mësuar t’i kulturonte fëmijët (në dukje) me fjalë përshëndetëse, por kishte harruar se pavarësisht shtresës sociale dhe ekonomike, të gjithë jemi të barabartë.
Pasi largoi duke shtyrë vogëlushin, iu drejtua djalit të saj duke i thënë: “Mos e prek atë! S’e sheh si është? Është pis, janë të braktisur. Nuk kanë as mam as bab”.
Më vrau, jo fjalët, por shikimi i motrës së vogëlushit, që lotët nisin t’i rrjedhin ngadalë dhe me forcën e një vajze që jeta e kishte rritur para kohe, i fshiu lotët, mori vëllain dhe u struk në një vend me një biskotë në dorë që e ndanin të dy.
Iu afrova vogëlushes dhe e pyeta nëse ishte mirë.
-Jam mësuar, ska gjë. Kjo ishte përgjigjja. I zgjata një pjesë të racionit tim. U spraps njëherë, i hodhi një shikim të vëllait dhe e mori. “Faleminderit”, tha ndërsa vogëlushi më dha një të qeshur të thyer. U larguan.
I hodha një vështrim familjes që vijonte të drekonte. Ishin aq të palumtur mes luksit që i vishte sa nuk dëgjonin as lutjet e fëmijës për një gotë ujë. E sigurisht, për të mos harruar kapriçot e vajzës dhe djalit që e kthyen kamerierin plot 4 herë vetëm sepse buka ishte paksa e thatë dhe mishi ishte ftohur duke qëndruar në pjatë, pasi ishin të fokusuar tek telefoni.
Ajo që më dhembi vërtet (pa ekzagjerim) ishte ajo paralele mes dy botëve: një botë e pasur në xhep, por e varfër në shpirt; një botë e pasur në shpirt, por e varfër në xhep.
Ekziston një shprehje: pasqyra e prindit është fëmija. Mendoj që prindi do të duhet të krijojë një reflektim shumëfish më të mirë të vetes te fëmija, e jo t’i tregojë se, dikë që ka më pak lekë ose aspak lekë, ose që punon, vuan apo edhe zvarritet për të siguruar bukën e gojës, mund ta shkelin lehtësisht me këmbë.
Fatin nuk mund ta zgjedhim, e ata dy vogëlushë nuk kanë dashur të jetojnë ashtu, të zgjasin duart për një qindarkë a kafshatë. Minimalisht, ata prindër, edhe nëse nuk do të donin t’iu dhuronin diçka atyre dy vogëlushëve, nuk duhet të kishin bërë ashtu farë reagimesh para fëmijëve, që jam e bindur se kur të rriten do ta kuptojnë dhe do ta gjykojnë ndryshe situatën.
Prindërit duhet t’i mësojnë se në këtë jetë kemi lindur të barabartë, pavarësisht ngjyrës së lëkurës, racës, gjinisë, besimit fetar, gjendjes ekonomike. Fëmija duhet ta dijë se njerëzit meritojnë të trajtohen me respekt e dashuri, të mos paragjykohen për kushtet në të cilat jetojnë.
Askush nuk do të lindë i varfër. Askush nuk do të jetojë i braktisur edhe pse me familje. I dashur prind, fëmija duhet ta dijë se ti punove shumë për t’i siguruar atij një të ardhme, me sado pak vështirësi. Fëmija duhet ta dijë se ti, dikur, ndoshta ke vuajtur për të kuptuar se jeta ka shumë sfida, e mes tyre është sfida e të qenit një prind.
I dashur prind, mësoje fëmijën që edukata, mirësjellja, dashuria e respekti janë virtytet më të mira që duhet të zotërojnë. Mësojini se edhe ata fëmijë që iu zgjasin dorën për të kërkuar ndihmë nuk janë të persekutuar, por se ashtu dashur pa dashur, fati i ka sprovuar.
I dashur prind, mos iu gëzo telefonit të shtrenjtë, çantave, orave e veshjeve luksoze, sepse nuk të bëjnë ato njeri. Ajo që të bën njeri është sjellja. Mësojini të sillen me kulturë dhe edukatë, si njerëz të qytetëruar, sepse edhe pse të vegjël, disa situata për fëmijët mbeten shenjë përgjithmonë. Lejojini të kenë kujtime më të bukura.
Por mos harroni, mbi të gjitha, kuptoni se bota ku sot jetojmë, ajo botë e zhvilluar mes bumit tekonologjik, po na bën të harrojmë se jemi njerëz. Po. Për një minutë, hiqini ata telefona nga duar, dhe shihni përreth se të gjithë ne jemi njësoj. Mos lejoni të vdesë njeriu brenda jush!