NGA REDI SHEHU
E për çfarë mund të flitet tjetër në mesin e një vape përvëluese përveçse për turizmin? Në fillimet e sezoneve turistike, pyetja e përhershme e cila lodhshëm çdo vit kumbon nga studiot e debateve televizive deri tek qytetari i thjeshtë, është se çfarë turizmi do të kemi sivjet? Kjo pyetje vërtitet mundësisht pasi fadromat e IKMT-së të kenë filluar që në zanafillë të sezonit të pluhurosin natyrën me shembjet e ndërtimeve pa leje, të cilat vetëm tani kanë radhën të merren në konsideratë. Vetë shembja dhe kaosi që ato shkaktojnë në kohën kur njerëzit bëhen gati për të filluar pushimet, të kujton epokën paraturistike shqiptare kur qytetari sillej nëpër bregdet me bidonë bosh duke kërkuar ujë, pasi kishte kapërcyer kodra prej mbeturinash të hedhura “pafajshëm” kudo.
Turizmi shqiptar nuk do rrijë edhe kësaj radhe pa i shpëtuar siluetës që e ka shoqëruar gjithmonë, atë të një dhome të madhe gjumi ku lakuriqësia e seksualiteti në publik, vret në mënyrë konstante intimitetin si ndjenjë e natyrshme njerëzore. Pra, ka pothuaj një shekull që njerëzimi kuptimin për pushimet verore e percepton brenda një parade prej mishi femëror dhe mashkullor, e cila si një kasaphanë moderne ia këput kokën turpit. Sikur të mos mjaftonte kjo, turizmi ynë është bashkudhëtar me një mori problemesh, të cilat nuk e lejojnë që ai të kthehet në një “brand” ndërkombëtar. Që nga ndotja, infrastruktura, problemet me pronësinë e tokës etj., e bëjnë nga viti në vit të vështirë për turistët që vizitojnë Shqipërinë të mund të kthehen në vizitorë të përhershëm të saj.
Shqipëria ofron një gamë të madhe të natyrës së turizmit, që nga deti, mali, fusha, lugina, lumenj, laguna, pyje, kanione, kultura, historia etj., të cilat konsiderohen si pasuri të dhëna, si krijime të dhuruar nga Zoti një vendi si ky i yni. Mirëpo, ajo që ka ndodhur vazhdimisht me ne, është gjendja e një raporti të zhdrejtë mes potencialeve të dhëna dhe infrastrukturës së ndërtuar prej nesh për të arritur këto potenciale. Pra, kemi shumë mundësi për t’u ofruar turistëve, por nuk kemi mjetet e mjaftueshme për t’i shfrytëzuar këto mundësi. Rrjeti infrastrukturor që nga rrugët e deri tek hekurudhat, tramet, metrotë, linjat e strukturuara të autobusëve etj., të cilat janë jetike për turizmin kudo në botë, te ne akoma vazhdojnë të mirëmbajnë këtë raport të zhdrejtë mes bukurive të natyrës dhe mundësive tona, duke i bërë akoma më të vështira destinacione të kësaj natyre.
Nga ana tjetër, kemi disa përpjekje të qeverisë për të ecur përpara me turizmin duke u munduar të marrë iniciativa të tipit “Smile Albania”, apo investime në turizmin rural apo agroturizmin, pa përmendur këtu projektin e “100 fshatrave”, të cilat po rindërtohen për t’u kthyer në destinacionet turistike. Përpjekje ka për ta nxjerrë Shqipërinë nga një vend paraturistik që ishte më parë drejt një vendi me turizëm konkurrues, por që ama në raport me infrastruktura bazike të domosdoshme për turizmin kudo në botë, përpjekjet janë akoma të vogla.
Kapacitetet tona akomoduese për një turizëm masiv janë të pamjaftueshme. Ne kemi aktualisht diku te 2.500 struktura akomoduese ku hotelet përbëjnë rreth 70% të totalit të tyre, pjesa tjetër janë shtëpi apo dhoma. Kjo strukturë akomoduese nuk është e mjaftueshme për një vend, i cili synon të presë 10 milionë turistë në vit. Struktura e turizmit tonë është e ndarë në tre sektorë strategjikë: Sektori bregdetar ku përfshihet edhe ai detar (maritime), sektori natyror ku përfshihen turizmi malor, ekoturizmi si dhe turizmi i brigjeve ujore, dhe turizmi tematik, në të cilin përfshihen turizmi kulturor, agroturizmi, etno-gatronomia dhe turizmi shëndetësor.
E gjithë ngrehina strukturore e turizmit tonë ka disa qëllime strategjike, për të cilat ajo është ngritur. Qëllimet strategjike të saj, bazuar në strategjinë kombëtare të turizmit 2019-2023, përmblidhen në katër shtylla: Krijimi i poleve dhe industrive të reja të ofertës turistike, rritja e vlerës së shtuar dhe impakti në ekonominë kombëtare, zhvillimi i produkteve dhe shërbimeve të reja, si dhe përmirësimi i imazhit të vendit. Nga të katër qëllimet strategjike të qeverisë shqiptare vetëm një prej tyre është realizuar, ai i rritjes së të ardhurave në Prodhimin e Brendshëm Bruto, i cili i afrohet 29%, ndërsa tre të tjerat ngelin në suazën e sfidës për t’u realizuar.
Shqipëria nuk ka arritur të ndërtojë pole të reja turistike, të cilat të mund të arrinin gradën e një “brand”-i ndërkombëtar, i cili do të mund të thithte turistë të një niveli më të lartë. Po ashtu, ne duhet që turizmin tonë të mos e përqendrojmë vetëm në sezonin e verës, por të mund ta shtrijmë atë në të gjithë hapësirën vjetore. Për këtë, duhen diversifikuar mundësitë tona turistike. Që të mund të dalim nga turizmi 2-3- mujor, duhet që të ndërtojmë infrastruktura, të cilat i përmendem më sipër, por edhe të tjera të tipit panaire ndërkombëtare, të cilat kthehen gjatë gjithë vitit burim të turizmit ndërkombëtar. Po ashtu qendra të mëdha “convention”, fusha golfi, marina të ndryshme, dhe pse jo që Shqipëria të mund të kthehet në një qendër rajonale dhe më gjerë të lojrave dhe garave ujore me barka me vela, kanoe etj. Njëkohësisht duhen investuar në resorte të mëdha të turizmit malor, i cili të jetë i integruar me garën e skive dhe lojërave dimërore.
E gjitha shërben për të ndërtuar një imazh të mirë për vendin. Turizmi është i lidhur pazgjidhshmërisht me imazhin që ne rrezatojmë karshi turistëve të huaj që vijnë t ne. Duke hequr turizmin patriotik, i cili aktualisht zë rreth 63% të gjithë turizmit tonë, ne akoma nuk jemi në parametrat për të ndërtuar një imazh pozitiv të unifikuar për vendin tonë, duke ndërtuar një turizëm i cili do ta nxirrte industrinë tonë të turizmit nga përtacia dhe parazitizmi, nga ndërtimi i konvikteve luksoze me pamje nga deti dhe vetëm kaq pa aktivitete të integruara turistike. Shumë vende në botë kanë ndërtuar imazhin e tyre pozitiv të unifikuar në raport me produktet e veta komerciale, me të cilat ata komunikojmë me kulturat e tjera përmes këtyre produkteve dhe më pas tërheqin vëmendje turistike. Ndërkohë që puna jonë për të ndërtuar imazh pozitiv të unifikuar fillon që me aksionin e pamundur politik të maxhorancës për zhbërjen e perceptimit si një vend i korruptuar ku lulëzon kriminaliteti dhe pasiguria, pastaj në ndërtimin e markave të njohura shqiptare, të cilat do të mund të komunikonin më kulturat e tjera në mënyrë që të tërheqin kërshëri turistike përtej bashkatdhetarëve tanë.
Imazhi është rezultat i eksperiencave individuale dhe kolektive në formë të përsëritur të të huajve për organizimin social-ekonomik të një vendi. Mbi bazën e këtyre eksperiencave ata ndërtojnë perceptimin dhe planifikimin nëse do të duhej të vinin përsëri në atë vend. Ne kemi imazh pozitiv, por e kemi të copëzuar në individë, shkrimtarë, këngëtarë apo sportistë, të cilat nuk janë të mjaftueshme për të ndërtuar një imazh pozitiv të unifikuar për të gjithë Shqipërinë. Është detyrë e qeverisjes, e cila përmes mekanizmave të pushtetit që ushtron ndaj infrastrukturës, komunikacionit, rendit e sigurisë, shërbimeve dhe shërbesave, dixhitalizimit, politikave fiskale, sigurinë ushqimore, rrjetin e energjisë dhe ujit të pijshëm dhe qindra nismave të ndryshme të cilat të vëna në pozitën e duhur, ndërtojnë imazhin pozitiv të unifikuar për Shqipërinë dhe shqiptarët.