Një aleat i vjetër i liderit të ndjerë të opozitës ruse Alexei Navalny është sulmuar jashtë shtëpisë së tij në Lituani. Leonid Volkov u sulmua me një çekiç dhe gaz lotsjellës ndërsa ishte në makinën e tij në Vilnius, një sulm që u cilësua tronditës pasi vjen një muaj pas vdekjes së Navalny. Para ngjarjes, ai gjatë një interviste u zotua se do të vazhdojë luftën kundër presidentit rus Vladimir Putin.
“Rreziku kryesor tani është se ne të gjithë do të vritemi. Pse, kjo është një gjë mjaft e qartë,” kështu është shprehur Volkov në gazetë. Sulmuesi dhe motivi nuk dihet. Policia rrethoi një pyll me pisha pranë shtëpisë së Volkovit në periferi veriore të Vilnius duke kontrolluar zonën.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis e quajti sulmin, tronditës. “Autorët do të duhet të përgjigjen për krimin e tyre”, shkroi ai në rrjetin social X.
Lituania, një anëtare e Bashkimit Evropian, është shtëpia e shumë të mërguarve rusë dhe ka qenë një mbështetëse e vendosur e Ukrainës që kur Rusia nisi agresionin në shkallë të plotë në shkurt 2022.
Volkov ka jetuar jashtë Rusisë për disa vite për sigurinë e tij dhe ka shërbyer si shefi i shtabit të Navalny. Ai gjithashtu përballet me akuza të ndryshme të motivuara politikisht në Rusi.