Me ndërmjetësimin e Katarit, Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord të zgjasin armëpushimin e tyre me një ditë tjetër. Të dyja palët kanë konfirmuar se armëpushimi do të zgjasë vetëm 24 orë dhe gjatë kësaj kohe pritet që të lirohen pengje të tjera, si nga ana e Izraelit ashtu edhe nga ana e Hamasit.
Presioni ndërkombëtar është rritur që armëpushimi të vazhdojë sa më gjatë që të jetë e mundur pas gati tetë javësh të bombardimeve izraelite dhe sulmeve tokësore në Gaza që kanë vrarë mijëra palestinezë, kanë zhvendosur tre të katërtat e popullsisë duke shkaktuar kështu një krizë humanitare.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka mbërritur sërish në Izrael në udhëtimin e tij të tretë në rajon për të kërkuar lirimin e më shumë pengjeve.
Izraeli dhe Hamasi ranë dakord të zgjasin armëpushimin e tyre me një ditë tjetër, vetëm disa minuta para se të skadonte. Në Rripin e Gazës, situata humanitare po bëhet edhe më e rëndë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje që përveç sulmeve, populli rrezikon që të vdes nga infeksionet dhe sëmundjet.