Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka publikuar mbrëmjen e së martës një foto në të cilën pozon pranë bashkëshortes së tij, ish-kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.
Foton, Meta dhe Kryemadhi e kanë shkrepur në Jalë, ku Partia e Lirisë ka mbledhur këtë vit të rinjtë e saj.
Meta kthehet në kampin e Jalës pas 5 vitesh mungesë pasi hoqi dorë nga postet që kishte në LSI dhe veshi kostumin e kreut të shtetit.
“Jala – Një dashuri më vete,” shkruan ish-presidenti në postimin e bërë në llogarinë e tij në Facebook.
Kujtojmë se që nga viti 2008 LSI, ose siç quhet sot Partia e Lirisë mbledh të rinjtë e saj çdo verë në kampin e Jalës.
“Një kamp i ideuar nga të rinjtë për të rinjtë, nga e gjithë Shqipëria, ku politikën e ndërthurin me argëtimin, aktivitete sociale e kulturore, sportin dhe shumë trajnime e shkëmbime eksperiencash me personalitetet më të rëndësishme politike dhe jo vetëm. Të rinjtë kanë mundësi të shfaqin gjithë potencialin e tyre dhe të promovohen gjatë aktiviteteve në axhendën e larmishme të projektuar për ditët e kampit,” thotë Meta.