Kryeministri ynë Edi Rama i cili drejton vendin tonë që prej vitit 2013 ka qenë gjithmonë kundra rrymës. Është ai i cili në takime zyrtare ka shkuar me atlete dhe me tuta duke thyer kodin e veshjes së takimeve. Është ai që në takime kabineti, ministrash, kryeministrash, teksa të pranishmit flasin, vizaton dhe ‘zhgarravit’ në fletët ku shumica prej tyre mbartin informacion dhe vendime të rëndësishëm për jetën e shqiptarëve.
Kryeministri është ai i cili këto shkrime më pas i printon dhe i bën piktura për muret e zyrës së tij në Kryeministri. Hap ekspozitë në Athinë me pikturat e tij në letrat e shqiptarëve.
Rama është ai që mban 2 breshka në zyrë, thonë që këtë gjë e bën pasi këto të fundit janë të mira për astmën nga e cila vuan kryeministri. Ai bën skulptura prej balte në Kryeministri kur shqiptarët bashkë me opozitën dynden në sheshin ‘Nënë Tereza’ për të kërkuar të drejtat e tyre. Rama qesh dhe ironizon çdokënd që e pyet apo i qan hallin. Por duket se këto ‘ditë të errëta do marrin fund.’
Prej disa ditësh qarkullon lajmi se ai do të hapte një podkast të tij, por vetëm sot Rama, me anë të një videoje në Facebook e konfirmoi këtë gjë. Sipas tij, kjo do të jetë një hapësirë ku ai do të flasë me të gjithë dhe do t’u përgjigjet të gjithëve. Qytetarëve, artistëve, të huajve, madje edhe kundërshtarëve të tij nëse ata do të pranonin. Të mëdha kanë qenë komentet për këtë nismë të tij por nuk besoj se duhet të çuditemi më nga asgjë që bën kryeministri ynë. Mund ta shikoni si një hapësirë ku mund t’i flisni dhe t’i qani hallet kryeministrit, pasi në të gjithë listën e mësipërme, nuk ishte asnjë pikë ku kryeministri të merrej me qytetarët. Ai e cilëson këtë si një eksperiencë të re, por harron që eksperienca që i është dhënë duke e zgjedhur si kryeministër, duhet të jetë e vetmja për të. Tani, të gjithë ju që keni persona në moshë të tretë do duhet t’i mësoni gjyshërve si të lidhen me kryeministrin me internet, e nëse jo, me shumë keqardhje Rama nuk do mundet t’i dëgjojë dot. Në të gjitha ‘hobet’ e listuara më lart, vetëm të marrurit me njerëzit nuk e ka me shumë qejf Rama. Më në fund shqiptarëve ju erdhi dita ‘të dëgjohen’, e ku më mirë se tek ‘emisioni’ i kryeministrit.
Çudia më e madhe në vendin tonë 3 ditë zgjat, derisa Rama të sjellë ‘një risi’ tjetër. Do harrohet siç u harrua rritja e çmimit të bukës, e biletës së autobusit, e vrasjes së qytetarëve nga policia. Vetëm lutemi që ta hap podkastin pas zgjedhjeve të 14 majit, se ndryshe as për të bërë miting për të mbledhur votat e për t’ju dëgjuar s’do ta marrë mundimin. Në këtë vend, të vrasin natën dhe të qajnë hallin ditën…në podkast./ Klara Murra