Dëmtimi kundër Uruguajt i ka kushtuar shtrenjtë Neymar. Sulmuesi brazilian do ta mbyll në infermieri sezonin aktual, pasi lëndimi në gjurin e tij të majtë ka nevojë për tu operuar. 31-vjeçari pësoi këputje të ligamenteve dhe për tu rikuperuar kërkohet të paktën nga 6 deri në 7 muaj. Neymar, i cili nënshkroi për skuadrën e Arabisë Saudite Al-Hilal në gusht, u largua nga fusha në barelë. Dëmtim që i kushton edhe FIFA-s, pasi një vit jashtë fushave në ndeshjet ndërkombëtare vlen rreth 7.5 milionë euro për arkat e saj.
Karriera e Neymar ka qenë tepër e vështirë e ndikuar shumë nga dëmtimet. Në Kupën e Botës 2014, ai pësoi një dëmtim në shpinë në fitoren e çerekfinales ndaj Kolumbisë, duke mos e lejuar të jetë në fushë në humbjen 7-1 nga Gjermania. Në Rusi 2018, lëndimet përsëri penguan ëndrrën e tij për të fituar Kupën e Botës. Në fillim të atij viti, Neymar pësoi një ndrydhje në kyçin e këmbës së djathtë që preku gishtin e pestë të këmbës së tij.
Ai humbi 16 ndeshje për Paris St Germain në fund të sezonit 2017-18, teksa nuk ishte në formë pasi luajti me dhimbje për Brazilin në Rusi derisa u eliminuan nga Belgjika në çerekfinale. Sulmuesi pësoi lëndime të ngjashme në 2019, 2021 dhe në Kupën e Botës të Katarit të vitit të kaluar. Në fillim të këtij viti, ai iu nënshtrua një operacioni në kyçin e këmbës së djathtë që kërkoi pesë muaj rikuperim, përpara se të largohej nga PSG për të nënshkruar një marrëveshje dyvjeçare me Al-Hilal.